Pietro Marubbi dhe fotografët e Periudhës Osmane

uploads-cover_67fe08f7a2.jpg

Me rishkrimin e biografisë së Pietro Marubbit janë qartësuar shumë dritëhije të krijuara ndër vite si pasojë e mungesës së madhe të informacioneve rreth jetës së tij. U është dhënë përgjigje shumë pyetjeve që saktësojnë faktin se ai erdhi në Shkodër për herë të parë në tetorin e vitit 1858 dhe se profesioni i tij ishte piktor. Pyetja shekullore: A erdhi Marubbi si fotograf apo u bë në Shkodër? - tashmë e ka një përgjigje, ndaj edhe fotografitë e Marubbit, të gjendura në arkivën e Sulltan Abdyl Hamitit II, nuk janë më të panjohura për ne.

Përpjekjet e para për zbulimin e fotografive të hershme të Shqipërisë dhe trevave rreth saj i gjejmë nga albanologu kanadez Robert Elsie në librin e tij “Fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani Jugperendimor”. Ai ishte i pari që kishte rënë në gjurmët e imazheve të Shkodrës në koleksionin e Sulltan Abdyl Hamitit II.

Gjatë kohës kur shkruaja studimin tim “Pietro Marubbi dhe lindja e studios së parë fotografike në Shqipëri”, imazhi me ngjyra i Kalasë së Shkodrës i publikuar nga R.Elsie, më ngacmoi për të vijuar më tej kërkimet, nëse të tjera fotografi të Marubbit gjendeshin në koleksionin e sulltanit. Krahas albumeve me fotografi të pamjeve të Shkodrës që dominonin koleksionin e Marubbit, u zbulua dhe një album me fotografi të 'shkodranëve dhe tiranasve' që pozojnë në oborrin e shtëpisë së tij. Ndryshe prej albumeve të tjera që në kopertinë kanë të gdhendur emblemen e Perandorisë (Arma-i Osmani), ky album ka një kopertinë ngjyrë kafe të errët, në cepat e së cilës janë qendisur katër gonxhe trëndafilash prej mëndafshi. Dizajni i brendshëm i albumit me ornamente dhe fotografitë e pikturuara me ngjyra vaji, e bëjnë atë një objekt mjaft të çmueshëm për kohën. Fotografitë duken si xhevahirë që vezullojnë nga shkëlqimi i ngjyrave, të cilat qëndrojnë të freskëta ende sot.

Historia na tregon se Sulltan Abdyl Hamiti II i cili kishte krijuar një koleksion unik me albume fotografike nga çdo cep i Perandorisë së tij, ishte i interesuar për krijimtarinë e çdo fotografi që shkelte në atë territor. Albumet me fotografitë nga Shkodra u vendosën në arkivën e Pallatit Yildiz, falë zhvillimit dhe famës që kishte marrë studioja fotografike të cilën Marubbi e kishte hapur më 1865 në Shkodër. Ky artist italian që fotografoi qytetet e Shqipërisë duke ia shfaqur ato Perandorisë, kishte zënë tashmë vend mes fotografëve më të famshëm të saj. Imazhet të cilat i prezantuan Shqipërinë botës janë pamjet e qyteteve, shkollave dhe njerëzve me veshjet tradicionale, që i gjejmë të tregtohen edhe në formën e kartolinave me mbishkrimin Souvenir de Scutari d'Albanie.

Gjatë shekullit XIX Perendimi filloi të interesohej gjithnjë e më shumë për të zbuluar Lindjen. Kjo periudhë kohore përkon me ekspozimin në salonet e botës evropiane të artit oriental, zbulimeve arkeologjike dhe fotografive të pamjeve të vendeve të Lindjes së Mesme, të cilat zgjuan kuriozitetin e qytetërimit oksidental ndaj atij oriental. Një rol të madh për zbulimin e Lindjes luajtën lehtësimet e udhëtimeve në Mesdhe përmes linjave të avulloreve të Lloyd-it Austriak dhe trenit Orient Express.

Eksploratorët, arkeologët, piktorët, historianët, shkrimtarët ishin të parët që zbarkuan në Stamboll (Constantinople) që ishte ndalesa e fundit e Orient Express-it, prej ku më pas linja tjetër hekurudhore Taurus Express të çonte drejt vendeve më të largëta të Lindjes. Aleksandria, Kajro, Jeruzalemi, Bejruti, Damasku, Bagdati shumë shpejt u bënë destinacionet e preferuara të fotografëve të cilët ishin ndër të parët “eksploratorë”.

Me ardhjen në pushtet të Sulltan Abdyl Hamitit II (1876-1909), fotografia mori një zhvillim të madh në Perandorinë Osmane dhe kryeqendra e saj Stambolli u kthye në destinacionin kryesor të fotografëve më të famshëm të kohës. Sulltani i cili e përdori fotografinë më shumë si një mjet për të kontrolluar Perandorinë e tij se sa si art, arriti të koleksiononte në Pallatin Yildiz 36,585 fotografi të organizuara në 911 albume. Albumet fotografike i përkasin pallateve osmane, portreteve të anëtarëve të familjes mbretërore, panoramave të qyteteve, ngjarjeve historike, mënyrës së jetesës, luftërave, administratës e organizimit ushtarak, zjarrfikësve, arkitekturës civile, njerëzve të sëmurë, kriminelëve dhe vendeve të ndryshme. Një pjesë të rëndësishme në këtë koleksion e zënë albumet fotografike të Vëllezërve Abdullahyan, Pascal Sébah e Polycarpe Joaillier, Vasilakis Kargopoulos, Félix Bonfils, Guillaume Berggren, Nicolas Andriomeno, Phébus, Bahriyeli Ali Sami dhe Vëllezërve Gülmez.

Albumet fotografike qenë kthyer për kohën në dhuratat më të çmuara që iu jepeshin autoriteteve, ndaj nuk është rastësi që në koleksionin e sulltanit, ne gjejmë edhe ato të Marubbit. Zbulimi i tyre na bën të kuptojmë rëndësinë që studioja fotografike e tij kishte marrë në Shqipërinë e asaj kohe, ndaj dhe sot ky koleksion ekspozohet krah fotografëve më të famshëm të Periudhës Osmane.

uploads-PM_1_09cf1b2ad0.jpg

Kreditë e ekspozitës

  • Kuruar nga

    Luçjan Bedeni

  • Mbështetur nga

    Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë
    Ministria e Turizmit dhe Kulturës e Republikës së Turqisë
    Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA
    Ambasada e Republikës së Turqisë në Tiranë
    Universiteti Teknik Yildiz
    Qendra e Aplikimit dhe Kërkimit Sulltan Abdyl Hamid II
    Universiteti i Stambollit

  • Tekstet

    Prof. Dr. A. Melek Özyetgin
    Prof. Dr. Vahdettin Engin
    Dr. Ayse Ersay Yüksel
    Dr. Luçjan Bedeni

  • Falenderime

    Murat Ahmet Yörük
    Prof. Dr. A. Melek Özyetgin
    Lec. Elif Tugçe Kurt
    Lec. Gökhan Açikel

Ekspozita tjera
uploads-Marubi_National_Museum_of_Photography_Pjeter_Rraboshta_Children_at_the_porch_of_the_Big_Church_Shkodra_Cathedral_39c167a686.jpg
Pjetër Rraboshta
Të përkohshme
uploads-Vertigo_1_1_21385053a0.jpg
Dedë Jakova
Të përkohshme
uploads-AL_Composition_2_0ac9f16a83.jpg
Armin Linke
Të përkohshme
uploads-74614170_2498873553532399_8521250729132818432_o_b85ea48995.jpg
Shtatë fotografë shqiptarë
Të përkohshme
uploads-Phest_2009_Op_In_3_f4df6dfcce.jpg
Muzeu Ateist
Të përkohshme
uploads-75388352_2489818764437878_8574372031406014464_o_f468d5ea2b.jpg
Fotografë të Juglindjes Shqiptare
Të përkohshme