Ekspozita permanente

uploads-10_Marubi_Museum_Christian_Richters_2c487c30c7.jpg

Ekspozita e koleksionit permanent prezantohet përmes tre dhomave tematike kushtuar tre brezave të fotografëve të Dinastisë Marubi: Pietro Marubbi, Kel Marubi e Gegë Marubi. Informacioni është vendosur në kontekst historik me ngjarje të rëndësishme historike të qytetit të Shkodrës dhe Shqipërisë dhe komunikohet nëpërmjet stimulimit të një eksperience shumëndijore brenda hapësirave ekspozuese.

Dhoma tematike 1
Studioja fotografike e Pietro Marubbi-t

Foto Studioja e Pietro Marubbi-t (1834–1903) funksiononte si një skenë teatrale e projektuar për të kryer ritualin e fotografisë. Sfonde të pikturuara me peizazhe natyrore përziheshin me elemente të vërtetë si qilima, karrige dhe bimësi të cilat së bashku formonin një mjedis hibrid tredimensional. Kontrolli i dritës natyrale që vinte nga dritarja anësore duke përdorur perdet, ofronte një ndriçim dhe atmosferë të përshtatshme për secilën fotografi. Foto Studio Marubbi ishte një makinë magjike e projektuar për të krijuar fotografitë simbol të cilat e bënë të famshme studion e Pietro Marubbi-t.

Dhoma tematike 2
Dhoma e errët e Kel Marubit

Kel Marubi (1869-1940) përjetoi në dhomën e errët disa nga zhvillimet më të rëndësishme në teknikën e fotografisë së asaj kohe. Një nga këto ndryshime të rëndësishme ishte evoluimi i negativëve nga pllaka xhami në film celuloid. Përparimet teknike në kohën e Kel Marubit jo vetëm që e bënë zhvillimin e negativëve në laborator më të lehtë duke zvogëluar kostot e tyre, por patën një ndikim edhe në reduktimin e përmasave dhe peshës së aparateve fotografikë. Ky revolucion teknik hapi një fushë të re mundësish për fotografinë moderne duke e bërë atë më të aksesueshme për publikun e gjerë.

Dhoma tematike 3
Arkivi i Gegë Marubit

Në vitin 1970 Gegë Marubi (1907-1984) i dhuroi shtetit shqiptar arkivin e krijuar nga tre breza fotografësh të dinastisë Marubi të përbërë nga 493.819 negativë, 246 shkrime dhe telegrame, 219 aparate dhe lloje të ndryshme materialesh fotografike. Arkivi i familjes Marubi u pasurua edhe nga kontributet e fotografëve të tjerë të rëndësishëm shqiptarë si Kolë Idromeno, Shan Pici, Dedë Jakova, Pjetër Rraboshta, Angjelin Nenshati e të tjerë. Koleksionet fotografike janë jo vetëm një instrument thelbësor për të kuptuar evolucionin e fotografisë në Shqipëri, por mbeten një dëshmi e rëndësishme për të kuptuar historinë moderne të Shqipërisë, njerëzit e saj, llojshmërinë e traditave, diversitetin e pasurinë e kulturës shqiptare.