Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi"
Nga studio në arkiv e më pas muze fotografie
Italiani Pietro Marubbi erdhi në Shqipëri në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Mbasi e përshkoi atë nga jugu në veri, erdhi e u vendos në Shkodër. Asokohe ky qytet ishte një qendër e lulëzuar dhe pikë lidhjeje e rëndësishme falë shkëmbimeve ekonomike e kulturore. Ndoshta ishte atmosfera që gjeti në këtë qytet që e përndriti të sjellë artin e fotografisë duke hapur kështu studion e parë.
Duke mos patur fëmijë, ndihmësit e tij të parë, por edhe vijuesit besnikë në fushën e fotografisë, ishin fëmijët e kopështarit Rrok Kodheli nga zona e Zadrimës. Të dy djemtë, i pari Mati Kodheli e me vdekjen e tij të parakohëshme,vëllai i vogël Kel Kodheli, shkojnë në Trieste të mësojnë mbi mjeshtërinë dhe sekretet e fotografisë te studioja “Sebastianutti & Benque”. Keli ndjek rrugëtimin e Pietros me fotografinë duke trashëguar studion dhe mbiemrin. Më tej vijon i biri Gegë Kodheli (Marubi) duke ndjekur kurse mbi fotografinë për disa vjet pranë shkollës për kinematografi e fotografi të vëllezërve Lumière në Francë. Ajo çka bie në sy ndër tre brezat e fotografëve është dëshira për të qenë bashkëkohorë me epokën dhe kontekstin si nga pikëpamja social-estetike ashtu dhe nga ajo teknologjike.
Ndërkohë, në Shkodër ishin çelur njëra pas tjetrës studio të tjera fotografësh, pjesa më e madhe e të cilëve ishin nxënës të Marubëve: Dritëshkronja e Kolës (1886), Fotografija Pici (1924), Foto Jakova (1932), Foto Rraboshta (1943).
Atelieri i Marubëve vijoi përreth një shekull me një gjurmë individuale e në fillim të viteve ‘50 iu dorëzua anonimatit kolektiv komunist duke u bashkuar me fotografët e tjerë në kooperativë. Në pamundësinë për të përdorur, promovuar e ruajtur punën e bërë nga ai dhe paraardhësit e tij, në një kohë kur çdo lloj aktiviteti privat ishte i ndaluar, i fundit fotograf i Marubëve, Gega, në vitin 1970 i dhuron shtetit arkivin e familjes. Gjesti i tij ndiqet edhe nga fotografët e tjerë të atelieve të qytetit. Këta fotografë që dikur fëmijë, kishin hyrë për të mësuar e punuar te Marubi po rihynin te Marubi jo si Dritëshkrojë por si Fototekë, jo më si nxënës, por si autorë me korpusin e tyre fotografik. Arkivi i grumbulluar me rreth gjysëm milion negativa formoi Fototekën Marubi.
Kjo Fototekë, fillimisht si një sektor i Muzeut të qytetit, ishte nën kujdesin e Bashkisë Shkodër, por në vitin 2003 kalon nën administrimin e Ministrisë së Kulturës. Me 9 maj 2016, me koleksionet e Fototekës u inaugurua Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi.