Rreth nesh
‘Marubi’ - Nga Fototekë në një Muze fotografie
Krijimi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë 'Marubi' erdhi si nevojë për të evidentuar dhe promovuar arkivin fotografik të Dinastisë Marubi dhe fotografëve të tjerë të qytetit të Shkodrës, një trashëgimi kulturore unike në llojin e vet.
Në qendër të projektit të muzeut është trashëgimia e 'Foto-Studio Marubbi', themeluar në vitin 1856 nga Pietro Marubbi, piktori dhe fotografi italian i cili kishte ardhur dhe ishte vendosur në Shkodër në atë kohë. Aktiviteti i studios ndër vite, do të drejtohej dhe pasurohej nga tre breza fotografësh deri në fillimin e viteve 1950 kur Gegë Marubi u detyrua t’i dorëzohej anonimatit kolektiv komunist duke u bashkuar me fotografët e tjerë në Kooperativën e Riparim-Shërbimeve, sektor i së cilës ishte edhe fotografia.
Në vitin 1970 u themelua Fototeka “Marubi” me rreth 500,000 negativë në teknika dhe formate të ndryshme të cilët në momente të caktuara, u përdorën edhe për të ushqyer makinerinë e propagandës komuniste me imazhet historike që buronin nga arkivi. Pikërisht në këtë periudhë, shumë prej tyre u shfaqën në botimet e kohës të manipuluara dhe të tjetërsuara.
Muzeu i ri i projektuar nga studioja arkitekturore Casanova + Hernandez, është krijuar si një hapësirë për të promovuar dialogun e vyer midis traditës dhe modernitetit, së kaluarës dhe së tashmes. Trashëgimia dhe tradita theksohen përmes restaurimit të ndërtesës historike të projektuar nga Kolë Idromeno - artisti dhe arkitekti shqiptar, ish nxënësi i Pietro Marubbi-t - duke ruajtur karakteristikat e saj strukturore.
Muzeu shtrin funksionet e tij përtej mureve, në pedonalen e qytetit, përmes një ekspozitori të vendosur përballë hyrjes, konceptuar si një element lidhës për të bërë të mundur që modeli i hapur dhe i gjallë i muzeut të veprojë si shënjues kulturor për Shkodrën.
Tërësia e programeve të propozuara nga muzeu janë një mekanizëm aktiv për promovimin e vlerave të kësaj trashëgimie kulturore në qytet dhe më gjerë. Dinamika e veprimtarive të muzeut ka tërhequr vazhdimisht interesin e vizitorëve, studiuesve dhe kuratorëve brenda dhe jashtë vendit që nga hapja e tij.
Në vitin 2017, muzeu ishte ndër finalistët e nominuar për çmimin prestigjioz EMYA si Muzeu Evropian i Vitit.
Ndërtimi, muzealizimi dhe ngritja e programit të Muzeut Kombëtar të Fotografise 'Marubi' u mbështet nga :
- Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë
- Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF)
- Fondi Shqiptar i Zhvillimit
- Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri
- Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC)
Misioni
Motoja 'Një muze mund të shndërrojë një qytet' frymëzohet nga figura e Pietro Marubbi-it i cili pati përndritjen të sillte për herë të parë, magjinë e fotografisë në Shkodër. Së bashku me ndihmësit e nxënësit e tij, dokumentuan hap pas hapi momente të rëndësishme historike e shoqërore që formësuan identitetin tonë kombëtar, duke “sjellur në dritë” imazhe të njerëzve, peizazheve, arkitekturës, ngjarjeve historike dhe elementëve të traditës.
Programet e Muzeut synojnë ruajtjen dhe promovimin e kësaj trashëgimie kulturore duke zbuluar vlerat dhe rëndësinë e koleksionit dhe në të njëjtën kohë duke propozuar një qasje inovatore përmes ekspozitave të frymëzuara nga arkivi dhe kontributet e artistëve bashkëkohorë. Programet e edukimit, botimet dhe aktivitetet e tjera të muzeut i drejtohen një publiku të gjerë, me fokus të veçantë në brezat e rinj. Ata synojnë të sjellin në vëmendje artin e fotografisë dhe të inkurajojnë kërkimin e historisë të rrëfyer përmes imazheve mahnitëse të arkivit.
Ne synojmë të ruajmë dhe promovojmë trashëgiminë e Marubit me të njëjtin përkushtim dhe kreativitet me të cilin ato përcjellin në kohë, bukurinë dhe të vërtetën përmes fotografisë. Sot, Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi" ndjek hapat e tyre, duke qenë një institucion bashkëkohor dhe dinamik, i cili synon të rrisë ndjeshmërinë për njohjen e vlerës që ka trashëguar, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të artit dhe studimin e fotografisë.
Drejtor
Luçjan Bedeni
+355 (0) 22400501
lucjan.bedeni@marubi.gov.al
Luçjan Bedeni (Shkodër, Shqipëri, 1987) është drejtor i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Filloi studimet për pikturë në Liceun “Prenkë Jakova” në Shkodër, e më pas në Akademinë e Arteve në Tiranë ku u diplomua në vitin 2009. Atë vit shpallet fitues i Çmimit “Ardhje ‘09” për artistët e rinj të artit pamor dhe fiton të drejtën e një rezidence në International Studies & Curatorial Programme në vitin 2010. Pas kthimit nga New York, ftohet si mësues i historisë së artit pranë gjimnazit jopublik “Atë Pjetër Meshkalla S.I” në Shkodër (2010-2014). Gjatë kësaj kohe përfshihet në stafin akademik të Universitetit të Shkodrës si lektor i pikturës së aplikuar pranë Fakultetit të Shkencave në Universitetin “Luigj Gurakuqi” (2011), lektor i Historisë së Artit në Departamenti e Historisë (2012), lektor i pikturës murale pranë Akademisë së Arteve Shkodër (2013), lektor i trashëgimisë kulturore pranë Fakultetit Ekonomik (2014).
Mban gradën shkencore "Doktor në Historinë e Arteve Shqiptare" (2021) me hulumtimin e tij mbi "Pietro Marubbi dhe lindja e studios së parë fotografike në Shqipëri". Jeton dhe punon në Shkodër