Kujtesa e Ajrit
–Muzeu Marubi dokumenton historinë e Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare përgjatë një shekulli, përmes një koleksioni prej 500.000 negativësh që përfshijnë punën e 13 fotografëve, kryesisht nga Shkodra. Muzeu mban emrin e Pietro Marubbi-t, një qytetar italian i cili u vendos në Shkodër dhe hapi aty studion e parë fotografike në vend. Fototeka Marubi filloi aktivitetin e saj më 1865 dhe e vijoi deri në gjysmën e shekullit XX.
Falë faktit që gjatë regjimit të Enver Hoxhës arkivi arriti t’i shpëtonte shkatërrimit si dhe falë punës së kujdesshme më të cilën Marubi regjistroi emrat e klientëve të tij, shqiptarët sot mund të gjejnë gjurmë fotografike të paraardhësve të tyre dhe të zbulojnë aspekte nga jeta e tyre private apo ajo kolektive, të cilat përndryshe do të kishin humbur.
Puna e Rizzi-t dhe Laita-s në vitet e fundit, është qendërzuar në tematika të ndërlidhura me arkivat e koleksionet fotografike në veçanti. Ata kanë zhvilluar një hulumtim në zonën e Shkodrës dhe Tiranës, në ambiente familjare, ku kanë kërkuar fotografi të shkrepura nga Pietro Marubbi dhe pasardhësit e tij, por në disa raste kanë gjetur edhe stampime nga fotografë të tjerë, trashëgimia e të cilëve evidentohet në arkiv.
Nisur nga këto fotografi, Rizzi dhe Laita kanë regjistruar një seri historish me banorët e shtëpive dhe kur ka qenë e mundur, edhe me vetë protagonistët e fotografive. Vepra e artit që ka lindur nga këto takime, ka formën e një instalacioni audio shoqëruar me një seri fotografish të ambienteve familjare ku ruhen ende sot fotografitë e Marubit. Rezultati i kësaj pune janë copëza të një afresku të përbërë prej historish dhe kujtimesh personale që i takojmë edhe në imazhet e Muzeut Marubi.
Nëse figura e Pietro Marubbi-t mbart dëshminë e marrëdhënieve qindra-vjeçare mes Italisë dhe Shqipërisë, intensiteti i shkëmbimit mes dy vendeve nënvizohet për të disatën herë në projektin e artistëve The Memory of the Air (Kujtesa e Ajrit), i cili u konceptua gjatë një periudhe rezidence në Art House, Shkodër, në verën e vitit 2019.
Regjistrimi dhe prania e fotografive në shtëpitë e familjeve të ndryshme, interpretuar si arkivë e jetuar, si dhe historitë e lidhura me subjektet e fotografive, e vendosin ekspozitën në ndërthurjen mes imazhit dhe fjalës, të kaluarës dhe të tashmes, privates dhe publikes, subjektives dhe kolektives; kjo nënvizon gjurmën e pashlyeshme të historisë dhe marrëdhënien e gjallë që individi ka me të. Aty ku historitë zyrtare tentojnë të ngrijnë narrativën në një version të reduktuar të saj, Laita dhe Rizzi na sjellin nuanca, kontradikta dhe të papritura, ndonjëherë të paparashikueshme e shpesh, aspekte të patrajtuara. E gjitha kjo në një vend që për 40 vite, ka qenë nën trysninë e një diktature që ndër të tjera, ka shkaktuar humbje të thella.
Ky projekt merr titullin nga vepra poetike “Kujtesa e Ajrit”(1993) e autorit Visar Zhiti (Durrës, 1951), viktimë e persekutimit komunist dhe dëshmitar i historisë së sotme të Shqipërisë.
Kreditë e ekspozitës
- Kuruar nga
Gabi Scardi
- Mbështetur nga
Italian Council (edicioni IX, 2020)
Ministria e Kulturës e Shqipërisë - Partnerë kulturorë
Museo Fotografia Contemporanea, Centro Itard, that's contemporary, Harabel Contemporary Art Platform, Art House, Fondazione Adolfo Pini