Arkivi Marubi: Rituali Fotografik

Triennale di Milano

uploads-FQ_6_A6282_La_Triennale_di_Milano_Fotografia_Gianluca_Di_Ioia_4ffb8c8b2a.jpg

Kjo ekspozitë paraqet një përzgjedhje nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër, arkivi i të cilit ruan rreth gjysëm milioni negativë në pllaka xhami dhe film rul prej katërmbëdhjetë autorëve.

Kjo ekspozitë përmban 150 imazhe të përzgjedhura nga autorët më të njohur të koleksionit duke na ofruar një fragrancë shumëforme dhe eklektike të një realiteti të ruajtur brenda një arkivi negativësh. Një realitet që na shfaqet pëmes momenteve të së përditshmes dhe praktikës së ritualeve të kalimit, të fiksuara nga rituali fotografik. Ekspozita përqendrohet në jetën dhe ritualin që e shoqëron.

Struktura qendrore përmbledh si “në fshehtësi” gjendjet njerëzore – dashurinë dhe vdekjen, sëmundjen dhe çmendurinë – në dialog me disa negativë dhe gjendjen e gjërave që ata përmbledhin. Muret e jashtme të strukturës rrethojnë këto gjendje njerëzore përkatësisht me ritualet e lindjes, të fëmijërisë, të rinisë, të pjekurisë dhe të vdekjes. Në katër muret e sallës gjejmë vendet, aktivitetet njerëzore, marrëdhëniet, ndëshkimet, celebrimet, grumbullimet rastësore e ata të detyrueshme. Larmia dhe diversiteti i tyre lejonte larmi dhe diversitet edhe në qasjet e fotografëve. Struktura qendrore me aksin lehtësisht të devijuar, ofron rrugëtime të ndryshme brenda saj.

Kjo bën që secili prej nesh t’i lexojë fotografitë e ekspozuara, në mënyrë spontane. Brenda arkivit gjenden kryesisht portrete të njerëzve apo grupeve që pozojnë në studio apo jashta saj. Ai moment i ndalur është tashmë i kaluar. Të shohësh një fotografi është sikur të shohësh diçka që nuk ekziston më. Pjesa më e madhe e imazheve të arkivës është dëshmia e një momenti më të gjatë se fluturak. Kohëzgjatja e pozës i kërkonte subjekteve palëvizshmërinë e një monumenti antik. Ashtu si ritet e kalimit të shoqërive të së shkuarës deri më sot, fotografia përfshinte disa gjeste të veçanta, manipulimin e disa objekteve dhe përdorimin e veshjeve të veçanta. Një ritual i fotografisë që përmbante aksione me vlerë simbolike, që urdhërohej e praktikohej në raste të veçanta, duke krijuar apo nënvizuar një kalim të tillë. Ai mund të kryhej për qëllime të ndryshme që kërkonin të kënaqnin nevojat shpirtërore dhe emocionale të praktikuesve. Karakteristikat që shpjegojnë ritualin magjik, të pranishëm në fotografi, janë aksionet rituale dhe funksioni shoqëror. Elementët që takohen janë procesi, alkimia (magjia), mjedisi i përshtatshëm (habitat), poza (habitus). Përmes pozave dhe gjesteve, buzëqeshjeve dhe ngërdheshjeve, aty na shfaqen marrëdhëniet njerëzore ndërmjet subjekteve, ndërmjet subjektit dhe fotografit, ndërmjet subjektit dhe vendit apo skenografisë. Personazheve të njohura të regjistrit të Kel Marubit “Njerz n’zâ e sende të kujdesshme”, tani mund t’i njihej edhe imazhi. Por si e sa na flet ky imazh? Cila ishte marrëdhënia mes veprave të tyre, fjalëve të thëna apo të shkruara nga apo mbi ta, me këtë imazh? Çfarë na thonë fytyrat e tyre dhe duart e tyre, veshjet dhe sjelljet e tyre? Si mund të përmblidhej historia e tyre në një pozë të vetme? Kështu, flitet për fotografinë si një ritual më vete, një prej atyre që depërtonte, shpjegonte e përjetësonte botën njerëzore me historitë, dëshirat, ëndrrat dhe ritualet e saj. I njëjti proces i realizimit të fotografisë, fazat që duhet të kalonte, objektivat që synonte, nënkuptonte një ritual, i ardhur në këtë botë pak para gjysmës së shekullit XIX por i dëshiruar nga zanafilla e njerëzimit. Është pikërisht ky kah që i jep titullin kësaj ekspozite.

uploads-Triennale_478e368655.jpg

Kreditë e ekspozitës

  • Hapësira e ekspozimit

    Triennale di Milano

  • Kuruar nga

    Zef Paci

  • Mbështetur nga

    Ministria e Kulturës e Shqipërisë
    Museo di Fotografia Contemporanea MuFoCo
    Ambasada e Shqipërisë në Itali

Ekspozita tjera
uploads-51559123_2042904429129316_2426435460273274880_o_f77a7d050f.jpg
Nadar
Të përkohshme
Phest_2008_Op_In_2_b925d4b58f.jpeg
Kolë Idromeno
Të përkohshme
uploads-41731739_1849913191761775_7925558367408357376_o_fce772fb8d.jpg
Angjelin Nenshati
Të përkohshme
uploads-28423694_1605912836161813_1405184929027418147_o_a904af5778.jpg
Moira Ricci
Të përkohshme
archive_homepage_431945d249.jpeg
Lala Meredith-Vula
Të përkohshme
uploads-04_Muzeu_Marubi_Manipulation_Fotografia_Lek_Gjeloshi_540e007132.jpg
Manipulim
Të përkohshme