Gjon Mili
Retrospektivë
–
Ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë” shënon një moment të rëndësishëm për historinë e fotografisë në Shqipëri, duke prezantuar për herë të parë një koleksion origjinal të veprës së Gjon Milit, një prej figurave më novatore të fotografisë së shekullit XX. Me vepra nga arkivi i Howard Greenbeg Gallery, ekspozita sjell fotografi dhe materiale arkivore që dëshmojnë transformimin e fotografisë nga medium dokumentues në një hapësirë eksperimentimi me kohën, dritën dhe lëvizjen.
I lindur në Korçë në vitin 1904, Mili emigroi drejt Shteteve të Bashkuara më 1923. Formimi i tij nuk nisi në akademitë e artit, por në fushën e inxhinierisë elektrike: në vitin 1927 ai u diplomua pranë Massachusetts Institute of Technology, ndaj çasja shkencore do të ndikonte thellësisht në mënyrën sesi ai e konceptonte fotografinë. Më pas punoi në fushën kërkimore të inxhinierisë së ndriçimit pranë Westinghouse Electric Company, ku realizoi hulumtime të avancuara mbi optikën, projeksionin e dritës dhe fotografinë teknike.
Arritja e tij më e rëndësishme shkencore ishte zhvillimi i llambës me filament dyplanësh, që konsiderohej asokohe burimi më i fuqishëm i dritës inkandeshente me tungsten. Krahas kësaj, ai realizoi eksperimente të rëndësishme mbi interpretimin fotometrik të dritës përmes fotografimit të rrezeve, filamenteve dhe objekteve prej qelqi të ndriçuara, duke botuar edhe artikuj teknikë mbi optikën dhe ndriçimin. Kjo ndërthurje mes shkencës dhe intuitës estetike e bëri Milin një figurë unike: jo thjesht fotograf, por “inxhinier-fotograf”.
Në Amerikën industriale të viteve 1930–1940, Mili arriti të ndërthurte kërkimin shkencor me eksperimentimin artistik, duke zhvilluar teknika novatore me dritën stroboskopike dhe ekspozimet e shumëfishta. Bashkëpunimi i tij me laboratorët e MIT dhe me Harold Edgerton e vendosi në qendër të revolucionit teknik që transformoi fotografinë moderne.
Në historinë e fotografisë, Mili mbetet një nga artistët që e kuptoi imazhin jo si “ngrirje” të kohës, por si vizualizim të saj. Përmes ekspozimeve të gjata, lëvizjes së kontrolluar dhe përdorimit të dritës si gjurmë grafike, ai arriti të bëjë të dukshme atë që syri njerëzor nuk mund ta perceptojë në kohë reale. Tek ai, fotografia bëhet koreografi e energjisë.
Një nga momentet më emblematike të këtij revolucioni vizual është seria legjendare “Picasso Drawing with Light” (1949), e realizuar me Pablo Picasso-n. Në këto fotografi, Picasso vizaton figura në ajër me një burim drite, ndërsa kamera e Milit regjistron gjurmën e tyre në errësirë. Rezultati është një formë e re artistike ku koha, drita dhe lëvizja bashkohen në një sipërfaqe të vetme vizuale.
Po aq të rëndësishme janë eksperimentet e tij stroboskopike mbi vallëzimin dhe trupin në lëvizje. Veprat si “Nude Descending Staircase” (1942) apo kompozimet me Martha Graham zbulojnë dialogun e tij me avangardat moderniste, futurizmin dhe kubizmin. Në këto imazhe, trupi nuk paraqitet si formë statike, por si fragmentim i kohës në shkrepje të njëpasnjëshme.
Një dimension thelbësor i praktikës së Milit ishte marrëdhënia e tij me muzikën jazz, performancën dhe filmin eksperimental. Gjatë periudhës që punoi për LIFE Magazine, ai fotografoi figura si Billie Holiday, Duke Ellington dhe Charlie Parker, duke i portretizuar jashtë kanoneve tradicionale të fotografisë, me ritmin dhe energjinë e performancës. Përtej fotografisë, Mili u angazhua edhe në kinemanë eksperimentale me filmin “Jammin' the Blues” (1944), ndërsa bashkëpunoi edhe me rrethin surrealist të “Dreams That Money Can Buy”, ku fotografia dhe filmi ndërthuren në një hapësirë të përbashkët vizuale dhe imagjinare.
Retrospektiva sjell gjithashtu portrete të figurave të kulturës dhe kinemasë amerikane, si Alfred Hitchcock dhe Humphrey Bogart, duke dëshmuar aftësinë e Milit për të depërtuar përtej imazhit publik të personazheve dhe për të kapur dimensionin performativ të identitetit modern.
Për publikun shqiptar, kjo ekspozitë ka edhe një dimension të rëndësishëm historik e identitar. Edhe pse Mili ndërtoi karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara dhe u bë pjesë e historisë së fotografisë amerikane, origjina e tij mbetet thelbësore në narrativën e tij personale. Kthimi simbolik i këtyre veprave në Shqipëri përbën një akt rikthimi kulturor dhe një rivendosje të Milit në memorien artistike shqiptare.
Në një epokë të dominuar nga qarkullimi digjital i imazhit, prania e printit origjinal ruan një rëndësi të veçantë muzeale. Stampat e revistës LIFE, shënimet editoriale dhe materialiteti i fotografive dëshmojnë jo vetëm historinë e imazheve, por edhe mënyrën sesi fotografia është prodhuar, publikuar dhe trajtuar përgjatë shekullit XX.
Fotografia e Gjon Milit çlirohet nga funksioni dokumentues dhe shndërrohet në një imazh ku koha, drita dhe lëvizja bashkëjetojnë si gjurmë të një realiteti të ripërfytyruar.
Kreditë e ekspozitës
- Kuruar nga
Howard Greenberg
- Ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë”
prezantohet në Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi falë bashkëpunimit me Howard Greenberg Gallery. Kjo ekspozitë prezanton për herë të parë në Shqipëri një përzgjedhje origjinale fotografish dhe materialesh arkivore të fotografit shqiptaro-amerikan Gjon Mili dhe realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë.
- Koordinimi i ekspozitës
Dr. Luçjan Bedeni & Howard Greenberg
- Tekstet
Howard Greenberg
- Përkthimi
Tereza Çuni
- Projekti ekspozues
Lek Gjeloshi & Dr. Luçjan Bedeni
- Instalimi i ekspozitës
Gjergj Spathari & Kolë Guraziu
- Projekti grafik
Bardhi Haliti
- Shtypi
Shtypshkronja “Shkodra”
- Falënderime
Anri Sala
Apollonia Colacicco



















































