VËLLEZËRIT KODHELI DHE KOLË IDROMENO:

RILINDJA NË ARTIN PAMOR SHQIPTAR

453481474_10169214352135137_6303727132560277854_n.jpg

Situata që gjeti Marubbi kur mbërriti në Shkodër më 1858 i përngjason asaj të Risorxhimentos (1848-1871), që kishte lënë pas në Itali. Koha kur ai zhvillon aktivitetin përkon me lëvizjen politike shoqërore e kulturore të lidhur ngusht me përpjekjet për Pavarësinë nga Perandoria Osmane, që njihet si Rilindja Kombëtare Shqiptare (1840-1912).

Në këtë kontekst dalin në pah figurat e dy emigrantëve të cilët i gjejmë të punojnë në kantierin ku po ringrihej seminari jezuit (1859). Arsen Idromeno, nga Greqia, qe vendosur në Shkodër fill pas pushtimit të Pargës nga Ali Pasha. Aty ai kishte fituar respektin e vendasve si mjeshtri më i mirë i punimit të drurit. Po kështu, piktori e arkitekti piaçentin Pietro Marubbi gjeti strehë pranë jezuitëve, të cilët i besuan atij rindërtimin e seminarit dhe mësimdhënien e vizatimit në Kolegjin Saverian (1878). Marrëdhënia e tyre ngjizi një miqësi e cila do të vazhdonte edhe më tej kur Marubbi projektonte të tjera godina me rëndësi në qytet (1858-1866). Me t'u zhvendosur në një banesë të madhe në qendrën e qytetit, Marubbi do të hapte të parën studio të fotografisë në Shqipëri (1865).

Fillimisht ai pati dy nxënës, djalin e kopshtarit të vet, Mati Kodhelin (1862-1881) dhe Kolë Idromenon (1860-1939) i cili ishte djali i mikut të tij, Arsen Idromenos. Reputacioni i Marubbi-t pati një ndikim mjaft të madh tek familjet respektive të të dy fëmijëve. Ai i bindi prindërit e tyre se, për përparimin e mëtejshëm në pikturë e fotografi, ata duhej të shkonin e të mësonin në Itali. Marubbi do t’ia paguante vetë shkollimin Mati Kodhelit, i cili ishte vetëm 15 vjeç kur u zhvendos në Trieste (1875) pranë Guglielmo Sebastianutti-t për të mësuar teknikat e reja të fotografisë. Po ashtu, Arsen Idromeno-ja, do ta dërgonte djalin e tij Kolën, pa mbushur 16 vjeç, të studionte pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura të Venedikut (1875).

Dalja më vehte e Kolë Idromenos nga Marubi, duke hapur një studio të re fotografie (1883) dhe kthimi i Kelit nga Trieste (1886) për të vijuar punën në studio bashkë me Pietron, kishte krijuar dy qendra, të cilat gjatë harkut kohor 1880-1900, patën një veprimtari intensive.

Pas vdekjes së Pietros më 1903, Kel Kodheli, në moshën 34 vjeçare, bëhet pronari i ri i studios. Transformimi që do të pësonte studioja nën drejtimin e tij është i lidhur ngusht me tërmetin e vitit 1905. Rrënimi që pëson pjesa më e madhe e qytetit, përfshin edhe ndërtesën e studios së Marubbi-t. Kjo ngjarje do të nxjerrë në pah dy personalitete të artit, Kolë Idromenon si arkitekti që po ringrinte qytetin me projektimin e disa ndërtesave në Rrugën e Madhe, Dugajët e Reja, Gjuhadol dhe Kel Kodhelin si figurën qendrore të fotografisë, i cili studion e re e shndërroi në një vatër patriotike. Emri i studios u shqiptarizua duke u quajtur Dritëshkroja Marubi, në të cilën u themelua dhe klubi i parë patriotik "Gjuha Shqipe" (1908). Përveçse pikë reference për fotografët e rinj që porosisnin tek Keli materialet fotografike që vinin nga Parisi e Drezdeni, studioja qe kthyer edhe në një vend sekret për patriotët që shpërndanin tekstet shqipe. Në këtë kontekst edhe Idromeno do ta shqiptarizonte emrin e studios duke e quajtur, Dritëshkroja e Kolës. Aktiviteti i studiove në vitet 1905-1914 është ngushtësisht i lidhur me ngjarjet që çuan drejt Pavarësisë më 1912. Dëshmi e kësaj është rasti i Kel Kodhelit që grupon një sërë fotosh në një raft të arkivës së tij të emërtuar Njerëz në za e sende të kujdesshme. Përveç shkrepjeve të famshme të tij të Klubit Gjuha Shqipe, Deklaratës së Pavarësisë, Pavarësisë së Shkodrës, Luftës së Koplikut e të tjera foto, aty ai përfshin edhe riprodhime nga autorë të ndryshëm, imazhe të cilat kanë një rëndësi të madhe për historinë e Shqipërisë. Ai riprodhon fotografi të Vëllezërve Manaki të Kongresit dhe Komisionit të Alfabetit (1908) apo ato të Kongresit të Elbasanit (1909) dhe Trupit mësimor të Shkollës Normale të Elbasanit (1909), të cilat janë shkrepje të Idromenos.

Ridimensionimi i historisë së artit pamor shqiptar të zhvilluar gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, sjell si nevojë nxjerrjen në pah të rolit të Arsen Idromenos dhe Pietro Marubbi-t, dy emigrantëve të huaj të cilët lanë gjurmët e para në arte. Shkollimi i Vëllezërve Kodheli në Trieste për të sjellë të rejat e fundit nga fotografia evropiane apo i Kolë Idromenos në Venecia për pikturë, është pika fokale e bashkëkohësisë me artin evropian. Ekspozita synon të hapë dhe të çojë më tej një debat mbi Rilindjen Kombëtare në artin pamor shqiptar.

Broshura e ekspozitës

Kodheli Idromeno_Booklet-1.jpg

Kreditë e ekspozitës

  • KURUAR NGA

    Luçjan Bedeni

  • Një ekspozitë nga

    Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”
    Instituti i Antropologjisë – Akademia e Shkencave e Shqipërisë

  • Mbështetur nga

    Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

  • Koordinatorë të ekspozitës

    Luçjan Bedeni
    Olsi Lelaj

  • Tekstet

    Luçjan Bedeni

  • Përkthimi

    Tereza Çuni

  • Instalimi

    Kolë Guraziu
    Gjergj Spathari

  • Projekti grafik

    Bardhi Haliti

  • Falenderime

    Olsi Lelaj -Drejtor i Institutit të Antropologjisë

Ekspozita tjera
uploads-433862126_845869540912625_7907432387360346622_n_7dee54da94.jpg
Felice Beato dhe Adolfo Farsari
Të përkohshme
uploads-1946_6x6_1551_Musine_Kokalari_b8e3a47f80.jpg
Gjyqet - Një hulumtim në arkivin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare
Të përkohshme
uploads-M_4812_515_f099dcf842.jpg
Janaki & Milton Manaki
Të përkohshme
uploads-negativ_personale_1011_26_fe1e709f3d.jpg
Safet dhe Gjylzade Dokle
Të përkohshme
uploads-332516072_528679892742204_1644805840193776697_n_e8308a19cf.jpeg
Tenda e takimit e një oborri
Të përkohshme
uploads-315452005_5613180725434984_3522877525871720039_n_5e5c1ce74a.jpg
Michel Setboun
Të përkohshme