Pjetër Rraboshta

uploads-20210723_201211_OK_0e419100f6.jpg

Pjetër Rraboshta leu në Shkodër më 1917, në familjen e një artizani që bënte petka tradicionale. U shkollua në Kolegjin Saverian të jezuitëve. Rininë e hershme e kaloi si nxënës pranë Dritëshkrojës së Kel Marubit. Shërbimin ushtarak e kreu në Gjirokastër, ku dhe ushtroi profesionin e fotografit. U kthye në Shkodër, e deri në vitet ‘40, vijoi të punojë te Marubi bashkë me djalin e Kelit, Gegën. Rreth viteve 1942-1943 hapi në rrugën kryesore të qytetit studion e tij “Foto Rraboshta”.

Në periudhën kur filloi punën si fotograf, Shkodra tashmë kishte përjetuar magjepsjen prej imazheve të fiksuar prej Pietro Marubbi-t; në vijim kish soditur inskenimet epike të Kelit me ‘njerëz n’zà’ dhe ato të çuditshme të Idromenos me njerëz të thjeshtë; më vonë gjeti në imazhet e Gegë Marubit e Dedë Jakovës, kahjet dhe trillet e një shtrese të fisme e dekadente. Ndërsa fotografitë e tij regjistronin një kohë në ndryshim e sipër, kur synimet politike (edhe ato të pashpallura) qenë vendosur e, doradorës, po linin gjurmë tek shtresat shoqërore dhe mjedisi.

Qyteti që fotografoi nuk ishte kaotik, por gjithsesi i larmishëm, me mpleksje shtresash e prurjesh të ndryshme shoqërore – edhe pse një shtresë e lartë duket se mungon. Imazhet përçojnë aromën e një qyteti intim mesdhetar që ndjell vegime e përjetime nostalgjike.

Dhuntia e Rraboshtës është ofrimi i një realiteti që shërbehet shqeto. Subjektet shfaqin shijen e një jetese të njëmendtë dhe ndaj problematike. Prej atyre fotografive nuk përçohet aspak ndjesia e optimizmit të përuruar prej regjimit. Lumturia që ai përcjell nuk i përket atij lloji, është ajo e përhershmja e qenies njerëzore, që ka përbri trishtimin, brengën e shfrimin.
Te fotografia e tij haset ajo thjeshtësi, në dukje anonime që nuk sajoi asgjë, por ndali çaste solemne, të dhimbshme e hokatare prej jetës që i rridhte para syve. Ai thjesht gjendej aty e priste, jo vetëm atë çka pritej të ndodhte, por edhe atë çka rastiste të ndodhë, herë vetvetiu e herë me nxitjen që shkaktonte drejtimi i aparatit fotografik. Në tipologjitë e zakonshme të mediumit, jeta që është ndalur, shfaqet e patrukuar e, ndonjëherë kapet fluturimthi në shtjellën e saj.

Asokohe, ishte fotografi që e bënte albumin e familjeve, i takonte atij të shkonte aty ku ishin, në oborret dhe shtëpitë e tyre, gjatë punës, festave apo pushimeve. Njerëzit shfaqen me qëndrimet e petkat përkatëse në të njëjtat kënde, bri një dere, para një muri, në shtëpi a në oborr, në kishë a para kazermës, në një shesh, në rrugë, në lulishte, në borë a në plazh. Pikërisht në këtë përsëritje, ndodhte e papërsëritshmja që sillte koha dhe subjektet. Historitë që na ofron janë histori të vogla, që vijnë nga poshtë. Ai nuk është jashtë tyre, përkundrazi, ndjehet se ai bën pjesë në to.
Një shërbim fotografik i këtij lloji, e ruajti disi prej molepsjes nga ideologjitë. Pa platforma paraprake politike e social-kulturore (që qenë të mirëpërcaktuara nga regjimi), imazhi më shumë shpall e akuzon sesa shpjegon. Rraboshta punon në një situatë ku ndërgjegjësimi mendor e pamor është vënë në diskutim, por pikërisht njashtu, në zgrip, duke fotografuar, ai duket se ruan disa vlera që bartnin jeta e ritet në atë kontekst, dhe posaçërisht, të atyre që regjimi kishte filluar t’i flakte tej. Dëshmia e tij, e mbështetur në zhanret tradicionale të fotografisë, bën të ndjehet përgjegjësia morale dhe dinjiteti i një bashkësie që, përkundrejt ateizmit shtetëror, gjithnjë më kërcënues dhe shtypës, ngulmon të vijojë kremtimin publik të riteve fetare. Imazhet e tij përbëjnë feksjet e mbrame të këtyre riteve që do të ndalohen prerazi në vitin 1967.

Bashkëqytetarët e quanin Rraboshta i fëmijëve. Kjo temë, me akorde herë fetare e herë profane, përshkon korpusin fotografik të Rraboshtës. Ajo përcjell çaste lumturie e parehatie sa prej së përditshmes aq edhe prej riteve të kalimit, ku spikasin krezmimet plot përshpirtni. Sidoqoftë, arkivi i tij ngërthen gjerësisht edhe moshat e tjera në një spektër temash mbi shoqërinë, mbi jetën me ritmet e ritet e saj. Ndër këto të fundit, të shumta janë imazhet e martesave që shtjellohen në të njëjtat itinerare: shtëpi – veturë – kishë – shtëpi. Këto skena martesash e krezmimesh, shfaqin një mpleksje të njerëzve me tesha ceremoniale me ato me të përditshme, si pjesëmarrës e si spektatorë. Aty, ndonjëherë ndodh që spektatorët e ceremonive të kthehen në protagonistë. E pranishme në një numër të konsiderueshëm fotografish është edhe tema e ushtrisë. Edhe pse fotot mund të jenë shkrepur në kohën e lirë, para garnizonit ushtarak, subjektet në uniformë pohojnë nëpërmjet pozë disiplinën.

Punoi shumë në viset malore të Veriut të Shqipërisë, posaçërisht për të realizuar fotografi letërnjoftimesh. Ata portrete subjektesh ngërthejnë urgjencën e një lloj vetëdeklarimi të brendshëm në cakun e një imazhi të vetëm. Subjektet vijnë të bindur (me urdhër, meqë pushteti po kryente një census) në vendin ku do të bëhej fotografimi, të gjithë pozojnë para ndonjë dere a pëlhure. Që prej asaj kohe, ata persona na shohin sot, bash në dritë të syrit. Ai vështrim i ndërsjelltë mes fotografit e subjekteve na vjen sot pa praninë e tyre, por bart përfshirjen emocionale dhe empatinë e tij. Edhe fotografia e portretit të tij, e shkrepur me atë rast, u gjet midis tyre.

Rreth vitit 1963, me mbylljen e aktiviteteve private, hyri në repartin shtetëror të fotografëve pranë Kooperativës Shtetërore të Artizanatit. Rraboshta, që kishte shëtitur pa reshtur nëpër qytete e malësi, në vitet e fundit të punës në këtë repart, nuk doli më në terren. Për shkak të problemeve shëndetësore që ia pengonin ecjen e gjatë, ai punoi në laborator ku lau filmat dhe fotografitë e kolegëve deri ditën e daljes në pension. Kishte nam si mjeshtër i dhomës së errët.

Në vitin 1970 i dorëzon shtetit arkivin e vet fotografik prej 16196 pozash të shkrepura në film (të formateve 24 x 36 mm dhe 24 x 24 mm). Ky arkiv, i pashoqëruar nga diciturat përkatëse, mbështetet veç në fuqinë e pashoqe që ka si imazh.

Vdiq në Shkodër, më 1987.