Jutta Benzenberg

Albanian Biography From Now to 1991

uploads-kl_Photo_and_copyright_Jutta_Benzenberg_1daadc042e.jpg

Është kontradiktore të përdorësh fjalë për të përshkruar punën e fotografes gjermane Jutta Benzenberg (1960, Mynih, Gjermani). Është po aq paradoksale sa një mal i rrjedhshëm apo uji i thatë.Mënyra se si punon është intuitive, pa ndonjë plan të paracaktuar dhe diktohet nga rrethanat e momentit, por na përcjell gjithmonë imazhe të realizuara me mjeshtëri.

Mbasi studioi fotografi në Staatliche Fachakademie für Photo Design në Mynih dhe punoi si fotografe për gazeta, teatro dhe televizion, në vitin 1991 Benzenberg-u mori vendimin që ia ndryshoi jetën. Tre vite mbas rënies së Murit të Berlinit, lexon në gazeta mbi Shqipërinë, një vend i harruar në skaj të Evropës. Rënia e të fundit regjim komunist kishte krijuar një vakum që po mbushej nga kaosi, trazirat dhe mungesa e drejtimit. Benzenberg-u dëshiron ‘të fiksojë’ mënyrën se si njerëzit po ballafaqoheshin me situatën, ndaj fillon të kërkojë dikë që e njeh vendin dhe e flet gjuhën. Së bashku me shkrimtarin, linguistin, albanologun dhe aktivistin Ardian Klosi (1957-2012), bën udhëtimin e saj të parë rreth e përqark vendit. Nga ky udhëtim lind një botim “Albanian Uberleben” – “Mbijetesë shqiptare” (1993), shumë udhëtime të tjera, një martesë dhe një familje me Klosin. Mënyra se si ajo punon e reflekton më së miri këtë periudhë: bardh e zi, kaotike, e egër, e shpejtë dhe intuitive. Për librat e saj “Bukuri e Rëndë” (2004), “Me të Shkuarën, Përpara” (2011), dhe “Zoti në Shqipëri” (2020), e gjejmë ende duke fotografuar skena dhe njerëz “në udhëtim”. Por tani u kërkon leje para se t’i fotografojë. I vendos në një studio portretesh të improvizuar në vend: në një sfond të errët ose në peizazh, me dritën e duhur që bie mbi ta. Fytyrat, sytë, shpirtrat. Për një çast, ajo krijon një kontakt të vërtetë me ta dhe i afrohet qenies së tyre. Portretet e saj shprehin krenari, gjallëri, thellësi, modesti, dëshirë për jetën dhe përkushtim. Ndonjëherë ata reflektojnë rrethanat, që nuk janë të lehta, por që trajtohen në fotografi me dinjitetet dhe hijeshi.

Benzenberg shpesh vë në skenë njerëz të padukshëm, por që duhet t’i njohim. Njerëz që nuk jetojnë në qytet, por në fshatra dhe male, njerëz që nuk i përshtaten rregullave të një shoqërie patriarkale, njerëz që jetojnë si nomad, njerëz që përballen me trauma individuale a kolektive. Çelësi i kësaj është aftësia që ka për të krijuar afrimitet me njerëz me prejardhje nga më të ndryshmet. Në thelb, fotografitë e Jutta Benzenberg janë një kërkim vizual i gjendjes njerëzore të shqiptarëve. Çfarë do të thotë të jesh shqiptar? Me çfarë sfidash duhet të përballen një burrë a një grua në jetët e tyre? Si ndikojnë rrethanat e kësaj toke në identitetin e njerëzve të saj? E gjithë kjo është pjesë e një korpusi të pasur punësh, që nuk është thjesht prekës, por edhe një dokumentim i rëndësishëm i një periudhe ku pjesa dërrmuese e imazheve është kryesisht sipërfaqësore dhe fluturake.

Nëse kërkon t’ia përkufizosh stilin, nuk e ke aq të lehtë. Benzenberg-ut nuk i pëlqen shumë koncepti i stilit. Megjithatë, ekzistojnë katër karakteristika të metodës së saj të punës që reflektohen në fotografi e mund t’i trajtojmë edhe si stil i saji. Së pari, është aftësia e sipërpërmendur për të krijuar afrimitet me njerëzit. Kjo krijon një shtresëzim të vështirë për tu përshkruar, por njëkohësisht të prekshëm e të thellë, sidomos tek portretet. Së dyti, fotografitë e saj luhaten mes ‘momentit të duhur’ dhe fotografisë së inskenuar. Të tjera janë tërësisht të ndërtuara, me modelin/-en e ndërgjegjshëm/-me për praninë e aparatit fotografik. ‘Të qëndruarit në mes’ mund të jetë karakteristika tjetër e cila ndikon në mënyrën se si ajo fotografon. Kur vendos të jetosh në një vend pa u bërë kurrë vendalie, pa ndjerë përkatësi, por kur rri aty për tridhjetë vite, ti shkon përtej shikimit të një të huaji. Je mjaftueshëm e afërt për të kuptuar rrethanat, për të lexuar njerëzit, për të shprehur emocionet përmes fotografisë, por njëkohësht e largët për të kritikuar gjërat e rrënjosura në mentalitet, që atyre i duken normale. Për ta përmbyllur, duhet thënë që përdorimi i dritës luan një rol shumë të rëndësishëm. Falë eksperiencës si operatore televizive, ajo arrin të dallojë tonalitetin blu, të verdhë dhe të gjelbërt pa përdorur matës drite. Kjo e lejon të marrë vendime të shpejta mbi dritën dramatike që shpesh e mbështjell imazhin.

Ekspozita ndërton si biografinë e shqiptarëve, po ashtu edhe atë të Benzenbeng-ut, duke ndërthurur jetën e saj profesionale me atë personale. Fotografitë krijojnë një subjekt narrativ me ngritjet e uljet e veta, me horizonte të gjëra dhe detaje që shtjellojnë identitetin shqiptar përmes syve të Benzenberg-ut, duke nxjerrë njëkohësisht në pah, edhe personalitetin e saj. Ekspozita fillon nga e tashmja, në katin përdhes prej ku, pak nga pak, e çon vizitorin mbrapa në kohë në katin e parë, tek një e shkuar e afërt, e turbullt, që duket disi e largët, por ende shndrit përmes plasave. Jutta Benzenberg vetë, flet në ekspozitë mbi origjinën e serive fotografike, mbi takimet e veçanta që ka patur dhe mbi mënyrën se si punon me fotografinë. Mund t’i dëgjoni në gjuhën angleze përmes kodeve QR të vendosur pranë serive, si dhe t’i lexoni të përkthyera në shqip. Fotografitë dhe historitë e rrëfyera krijojnë një biografi të Shqipërisë, të parë përmes syve të saj. Në të njëjtën kohë, janë edhe një reflektim i biografisë së saj personale dhe dëshmia e karrierës së gjatë të njërës prej fotografeve më aktive në Shqipëri.

uploads-Screenshot_2022_07_13_at_3_51_02_PM_142163481a.png

Kreditë e ekspozitës

  • Kuruar nga

    Kim Knoppers

  • Mbështetur nga

    Ministria e Kulturës e Shqipërisë
    Goethe-Zentrum Tirana
    Ambasada Hollandeze në Tiranë

  • Audotregimi

    Jutta Benzenberg
    Kim Knoppers

  • Mbështetur nga

    Ministria e Kulturës e Shqipërisë
    Goethe-Zentrum Tirana
    Ambasada Hollandeze në Tiranë

  • Audotregimi

    Jutta Benzenberg
    Kim Knoppers

Ekspozita tjera
uploads-20220323_144107_OK_d98c14a86f.jpg
Exposé
Të përkohshme
uploads-DSC_07417_e2ae4c8ae1.jpg
Kujtesa e Ajrit
Të përkohshme
uploads-cover_dc326a1194.jpg
Pietro Marubbi dhe fotografët e Periudhës Osmane
Të përkohshme
uploads-Marubi_National_Museum_of_Photography_Pjeter_Rraboshta_Children_at_the_porch_of_the_Big_Church_Shkodra_Cathedral_39c167a686.jpg
Pjetër Rraboshta
Të përkohshme
uploads-Vertigo_1_1_21385053a0.jpg
Dedë Jakova
Të përkohshme
uploads-AL_Composition_2_0ac9f16a83.jpg
Armin Linke
Të përkohshme