Janaki & Milton Manaki

uploads-02_0580_GPN_3387_6e22a8b763.jpg

Ballafaqimi i parë me fotografitë e Vëllezërve Manaki vjen përmes fotografive të riprodhuara nga Kel Marubi në ekspozitën e 25 vjetorit të festimeve të Pavarësisë së Shqipërisë.
Fotografitë e Kongresit dhe Komisionit të Alfabetit në Manastir (1908), që shqiptarët i njohin si fotografi të Marubit, janë në fakt shkrepje të Manakëve. I njëjti argument vlen edhe për dy fotografi të tjera të patriotëve Çerçiz Topulli e Mihal Grameno. Kërkimi i fotografive të Kongresit të Alfabetit ka qenë nxitja parësore për hulumtimin e koleksionit të këtyre fotografë, që mori tjetër rrjedhë kur në të u gjetën riprodhime të Marubëve dhe Idromenos. Riprodhimet nga një fotograf tek tjetri i hasim rëndom tek fotografët e Ballkanit, fakt ky që dëshmon njohurinë që autorët kanë patur për njëri-tjetrin. Rasti i Pietro Marubbi-t (1832-1903) që riprodhon portretin e Garibaldit të shkrepur nga Vëllezërit Alinari apo fotografitë nga Tommaso Burato (1840-1890), Franz Laforest (1838-1911) dhe Kolë Guli, më ka ngritur dyshime të forta nëse ata njiheshin edhe personalisht; kjo pasi Kolë Gulin (Nicolo Giovanni Gulli) nga Shkodra, fotograf i njohur gjatë shekullit XIX në Cetinë, e gjejmë të fotografuar në studion e Pietro-s. Pavarësisht këtij rasti, hipoteza më e besueshme është interesimi i vetë fotografëve për të parë shkrepjet e studiove përreth territorit ku ata shtrinin aktivitetin e tyre. Kjo ishte një mënyrë e mirë për t'ia "kopjuar" atij tjetrit mjeshtërinë ose stilin, me qëllim rritjen e klientelës. Prandaj, fotografët kishin në studio një larmishmëri objektesh, fondalesh e qilimash që i ndërronin sipas preferencave të klientëve.

Fotografitë e Manakëve kanë një ngjashmëri të madhe me shkrepjet e fotografit armen të Selanikut Paul Zepdji dhe fotografëve shqiptarë Dhimitër Vangjeli (1872-1957) nga Kolonja, Thimi Raci (1886–1966) nga Dardha dhe Vani Burda (1875–1949) e Kristaq Sotiri (1883–1970) nga Korça. Po t'ia shikojmë për herë të parë imazhet e të mos kemi njohuri për to, është e vështirë të bëjmë dallimet mes tyre. Ngjashmëria mes autorëve ndodh për shkak të ndërhyrjes së arkitekturës, që na paraqitet herë si shtëpi me çati e rrasa guri, e herë si manastire e kisha që duken në sfond. Po ashtu, në imazhet e ritualeve mortore e martesore dhe në larmishmërinë e veshjeve etnografike të popullatave maqedonase, shqiptare, greke dhe vllehe/rumene, të krijohet ndjesia sikur Manakët shkrepën në një 'fshat' të vogël ku zhvillohej jeta e përditshme, të cilën ata e vëzhgonin me kamerën e tyre.
Ndryshe prej autorëve të tjerë në ato anë, mjeshtria e Manakëve qëndron në kompozimet e grupeve prej qindra e mijëra njerëzve nëpër kreshta e lëndina, që pasurojnë peizazhet që ata i fotografojnë prej distancash të largëta, si në rastin e fotografisë Manastiri i Shën Sofisë në fshatin Avdela. Imazhet e forta të funeraleve janë një tjetër tipar dallues i tyre, që në rastin e imazhit Funerali i një ushtari bullgar në Manastir, përcjell një ndjesi kinematografike që na kujton skenat e filmave me luftë e revolucione. Një tjetër karakteristikë identifikuese e Manakëve janë shkrepjet në studio, që si sfonde kanë pamjet me kopshte idilike me pemë dhe peizazhet ekzotike me palma, që përveç se të kujtojnë Orientin, ato na përafrojnë me emrat e famshëm që zhvilluan fotografinë në Mesdhe.
Koleksioni i Vëllezërve Manaki ruhet sot në Arkivin Historik të Manastirit dhe përmban 6702 negativë në xham, 2087 plan filma, 1071 filma rul, 7041 stampime fotografike, 3867 dokumente dhe 49 kamera e materiale të tjera. Në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut ruhen një sërë filmash që ata realizuan me ‘Kamera 300', prej së cilës njihen edhe si themelues të kinematografisë në Maqedoninë e Veriut.

Broshura e Ekspozitës

uploads-Screenshot_2023_07_23_004628_64bf9274f1.jpg

Kreditë e ekspozitës

  • Kuruar nga

    Luçjan Bedeni

  • Mbështetur nga

    Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë

  • Koordinatorë të Ekspozitës

    Goce Stojanovski
    Dimitar Gorgievski

  • Bashkëpunëtorë

    Arkiva e Shtetit e Republikës së Maqedonisë së Veriut - Departamenti i Manastirit

  • Një ekspozitë nga

    Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi"

Ekspozita tjera
uploads-negativ_personale_1011_26_fe1e709f3d.jpg
Safet dhe Gjylzade Dokle
Të përkohshme
uploads-332516072_528679892742204_1644805840193776697_n_e8308a19cf.jpeg
Tenda e takimit e një oborri
Të përkohshme
uploads-315452005_5613180725434984_3522877525871720039_n_5e5c1ce74a.jpg
Michel Setboun
Të përkohshme
Marubi_National_Photography_Museum_10_4d1d9a93e1.jpeg
Pietro Marubbi, një fotograf në Shqipërinë osmane
Të përkohshme
uploads-kl_Photo_and_copyright_Jutta_Benzenberg_1daadc042e.jpg
Jutta Benzenberg
Të përkohshme
uploads-20220323_144107_OK_d98c14a86f.jpg
Exposé
Të përkohshme