Angjelin Nenshati
Dëshmitar mes dy kohëve
–Krijimtaria artistike në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet tjera të ish-Bllokut komunist lindor, ndiqte rrymën ideologjike të realizmit socialist, e cila trajtohej si e vetmja e denjë për regjimin komunist në lëmin e letërsisë dhe të arteve në përgjithësi. “Filli i kuq” i frymës ideologjike të kohës përshkonte tejembanë formën estetike, duke e shndërruar veprën artistike në një instrument propagandistik për të përhapur idealet komuniste revolucionare dhe optimizmin për botën që ata ideale mëtonin të krijonin. E gjithë kjo realizohej nëpërmjet transformimit ideologjik të realitetit në artin e kohës, ku përmes linjës politike të një partie të vetme ekzistuese, i ashtuquajturi “njeriu i ri” paraqitej si fryt i fitoreve revolucionare dhe i triumfit të betejave për transformimin e botës. Ai njeri nuk përfaqësonte aspak realitetin kontradiktor, subjektivitetin e qenies njerëzore dhe nuk kishte asnjë lloj natyrshmërie.
Kemi të bëjmë me një lloj “laboratori të formësimit të prototipit” – siç e ka përkufizuar studiuesi Gëzim Qendro – që përtej vullnetit për ta shfaqur modelin e njeriut të ri në çdo aspekt artistik dhe kulturor, në të vërtetë e mbaten atë “të fshehur nga fotografia, të fshehur nga kinematografia, të fshehur nga piktura, nga skulptura, nga gjithçka.”
Ekspozita kushtuar Angjelin Nenshatit, fotografit të shndërrimeve historike të vendit, orientohet në dy drejtime: në periudhën e diktaturës komuniste dhe në atë të tranzicionit të viteve ’90.
Në qoftë se vitet ’60, e miqësisë vëllazërore me Bashkimin Sovjetik, na paraqisnin frymën triumfante të regjimit të asaj kohe sipas klishesë “njeriu dhe lufta”, vitet ’70 – të cilave i përkasin edhe shumica e fotografive të kësaj ekspozite – kanë në fokus temën “njeriu dhe puna” dhe eksperimentin e revolucionit kulturor me frymëzim kinez në shoqërinë shqiptare.
Këto dekada karakterizohen nga dy momente të rëndësishme të trysnisë ideologjike. Nga njëra anë zhvillohet lufta kundër besimit fetar dhe zakoneve prapanike, që do të çonte në shpalljen e Shqipërisë si i pari vend ateist në botë me kushtetutën e vitit 1976. Ky aspekt tragjik i revolucionit kulturor bëri që objektet e kultit të shndërroheshin në vende të propagandës së ideologjisë komuniste. Një pjesë e tyre u transformuan në pallate sporti, kinema, shtëpi kulture, magazina e të tjera u shembën me themel. Gjithë këto masa përmbyllnin fushatën e persekutimit të klerit që kishte zënë fill në vitin 1944.
Pas viteve ’70, regjimi diktatorial i Enver Hoxhës u karakterizua nga ndjekja besnike e ideologjisë komuniste, që interpretohej në një këndvështrim të rreptë antirevizionist. Pleniumi IV (1973) ishte edhe momenti më kulminant i politikës agresive kundrejt artit. Shembujt kryesorë të kësaj lufte qenë goditja kulturore e artistëve të ekspozitës “Pranvera” (1972) dhe Festivali XI i Këngës në Radio Televizion (1972).
E parë në këndvështrimin e ndryshimeve, ekspozita e Angjelin Nenshatit ndërtohet në një rend kronologjik të orientuar nga tre imazhe kryesore. Në plan të parë qëndron shfaqja e një gjimnasteje e kapur në unazat e vendosura në altarin e një kishe të transformuar në klub rinie (1967). Në kontrast me të, njëzet e katër vite më pas, autori dokumenton aktin e “rimarrjes” së Katedrales, ku ikona e Zojës së Shkodrës, megjithëse në plan të dytë, qëndron mbi shkallët e tribunës së Pallatit të Sportit ndërkohë që njerëzit heqin tabelën e basketbollit (1991). Krahas dokumentimit të momenteve të hapjes së kulteve, vetëm pak ditë më pas, fotografi dëshmon djegien e Komitetit të Partisë në Shkodër me 2 Prill 1991, e cila konsiderohet si ngjarja përfundimtare e përmbysjes së diktaturës në Shqipëri.
Në të dyja këto periudha, në thelbin e fotografisë së tij, mbetet ngjarja të cilën ai e ndjek me interesin dhe me syrin e reporterit të mirëfilltë dhe të vëmendshëm. Për asnjë moment tek ai nuk ndihet vlerësimi i autorit ndaj asaj që po pasqyron – qofshin ato momente që i përkasin manifestimeve rinore, aksioneve vullnetare, propagandës së kohës apo thjesht çastet e jetës së përditshme.
Këtë pozicion të disiplinuar në marrëdhënie me momentin e pranishëm e perceptojmë gjithashtu edhe në ndryshimet e mëdha politike të vendit në vitet '90, ku përmbysjet social-politike të lartpërmendura e transformojnë totalisht natyrën gjithnjë e më dramatike që merr ngjarja e çliruar nga inskenimi.
Kreditë e ekspozitës
- Kuruar nga
Luçjan Bedeni
Lek M. Gjeloshi - Falenderime
Familja e fotografit Angjelin Nenshati
- Falenderime
Familja e fotografit Angjelin Nenshati