Zofia Rydet
Regjistri Sociologjik
–
Kjo ekspozitë ofron një vështrim në projektin fotografik monumental, Regjistri Sociologjik (Zapis socjologiczny), të fotografes polake Zofia Rydet (1911-1997).
Rydet filloi të punonte për këtë seri në vitin 1978, në moshën 67 vjeçare, kur ishte tashmë një artiste e mirënjohur. E magjepste shtëpia si një metaforë për jetën njerëzore dhe i ngjallte interes mënyra se si ambientet shtëpiake pasqyronin pikëvështrimet personale, estetike, fetare dhe politike. Projekti e ka zanafillën në Poloni, në rajonet e Podhale-s, Silezisë së Epërme dhe përreth Suwałki-t. Më vonë u zgjerua përtej kufijve të vendit, në Lituani, Gjermani, Francë dhe në Shtetet e Bashkuara.
Me kalimin e kohës, Regjistri u shndërrua në një vepër shumëdimensionale dhe u zhvillua në një numër nënkategorish dhe serish të pavarura, si Gratë në pragjet e dyerve, Miti i Fotografisë, Dritaret, Profesionet dhe Prania. Megjithëse vepra përfshin edhe banorë në qyteza dhe qytete, pjesa më e madhe e fotografive kanë në fokus zonat rurale, ku artistja u bë dëshmitare e shpejtësisë me të cilën po zhdukeshin mënyrat tradicionale të jetesës dhe kultura popullore.
Regjistri Sociologjik do të shtrihej në më shumë se 12 vjet, nga viti 1978 deri në vitin 1990, duke u shndërruar në një obsesion të mirëfilltë për Rydet, teksa po i afrohej fundit të jetës së saj. Koleksioni përfshin mbi 20,000 imazhe të realizuara në më shumë se 200 provinca të Polonisë dhe jashtë vendit. Nga mesi i viteve 1980, vrulli i dokumentimit të subjekteve nuk i linte më kohë për t’i zhvilluar fotografitë në dhomën e errët.
Kjo ekspozitë përqendrohet në një numër të rrallë stampimesh fotografike që artistja realizoi gjatë jetës së saj dhe është e para që bazohet në vepra origjinale nga seritë e ruajtura në arkivat e Fondacionit Zofia Rydet në Krakov.
Kuruar nga
- KREDITË E EKSPOZITËS
Clare Grafik & Karol Hordziej
- Kjo ekspozitë është prodhuar nga
The Photographers' Gallery në partneritet me
Institutin Adam Mickiewicz (bashkëfinancuar nga
Ministria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare
të Polonisë) dhe Fondacionin Zofia Rydet. - Ekspozita prezantohet
në Muzeun Kombëtar të
Fotografisë "Marubi" falë mbështetjes financiare
të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të
Shqipërisë. - Koordinator i ekspozitës
Dr. Luçjan Bedeni & Clare Grafik
- Tekstet
Clare Grafik & Karol Hordziej
- Përkthimi
Tereza Çuni
- Instalimi
Gjergj Spathari, Kolë Guraziu, Jozefina Vokrri
- Projekti grafik
Bardhi Haliti
- Shtypi
Shtypshkronja “Shkodra”
- Falenderime
Agnieszka Rudzińska (Instituti Adam Mickiewicz)
Zofia Augustyńska-Martyniak (Fondacioni Zofia Rydet)
Mimoza Halimi (Ambasadore e Shqipërisë në Poloni)
Wojciech Unolt (Ambasador i Polonisë në Tiranë)
































