Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik
–
Themeluesi i studios ishte Dhimitër Venetiku (1874-1946), diku nga vitet 1920-të. Studion e ngriti brenda shtëpisë. Fillimisht, ai punonte bashkë me djalin e madh, Theodhoraqin. Por, ky ndërroi jetë papritur në vitin 1930.Pas kësaj ngjarjeje, në studio u angazhuan edhe fëmijët e tjerë: Jovani, Krisanthi, Antoneta dhe Kiçoja. Në mesin e viteve ’30-të, Dhimitër Venetiku hoqi dorë nga zanati. Punën e vazhdoi kryesisht Jovani me Krisanthin. Në vitin 1946, Antoneta martohet dhe shkon të jetojë në Tiranë, kurse Kiçoja shkëputet krejtësisht në ’49-ën. Fillon punën si arsimtar dhe do të dallohet si një intelektual erudit. Ai jep mësim matematikë dhe fizikë, por ka një prirje të veçantë për muzikën. Ëdhtë një ndër profesorët themelues të shkollës artistike “Tefta Tashko Koço”.
Në fillimin e viteve ’40-të, Jovan Venetiku largohet nga Shqipëria. Rrethanat e ikjes së tij mbeten të mjegullta.
Pas largimit të Jovanit, punën në studio e vazhdon Krisanthi, deri në vitin 1955 kur ndodh shtetëzimi i aktiviteteve private dhe studioja mbyllet përfundimisht. Krisanthi angazhohet si fotografe për pak kohë në kooperativën artizanale të qytetit.
Në mesin e viteve ’60-të, shtëpia e Venetikëve shembet plotësisht si pasojë e planifikimeve të reja urbane. Ky është një moment i trishtë për studion. Familja shpërngulet pak më poshtë, në një apartament shumë të vogël. Për këtë arsye, detyrohet të hedhë pjesën më të madhe të materialeve, pasi nuk ka mundësi t’i marrë me vete.
Në tetorin e vitit 1975, Kristaqi dhe Krisanthi arrestohen. Ishin vitet pas pleniumit IV, koha kur përndjekja ndaj “armiqve të regjimit” u kthye në një gjueti të paskrupullt e të pandalshme. Kalojnë rreth një vit e gjysmë në hetuesi.
Për “veprimtarinë e tyre armiqësore” hapet një dosje e posaçme operative nga Sigurimi i Shtetit, me emrin “Bataku”. Përmes saj arrestohen e burgosen edhe piktori i mirënjohur Vangjush Tushi (1914-1982) dhe mësuesi Gaqo Peci (1920 – 2001). Gjyqi për të katër të akuzuarit zhvillohet në periudhën prill-qershor 1977 dhe kujtohet ende nga qytetarët korçarë për “spektakolaritetin” e egër dhe të dhunshëm.
Kiço Venetiku dënohet me 25 vjet burg për tradhëti të lartë ndaj atdheut. Vdiq në Spaç, në vitin 1985. Krisanthi Venetiku dënohet me 7 vjet burg për agjitacion dhe propagandë. Vdes në burgun e grave, në Kosovë të Lushnjës në vitin 1979.
Shkrim nga Mikaela Minga
Kreditë e ekspozitës
- Kuruar nga
Mikaela Minga
- Kjo ekspozitë është prodhuar nga
Muzeun Kombëtar i Fotografisë "Marubi" dhe prezantohet falë mbështetjes financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë.
- Kjo ekspozitë është realizuar në partneritet me
Akademinë e Shkencave - Institutin e Antropologjisë dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit
- Teksti
Mikaela Minga
- Konsulent historik
Kristaq Balli
- Përkthimi
Tereza Çuni
- Instalimi
Kolë Guraziu
- Projekti grafik
Bardhi Haliti
- Falenderime
Vaskë dhe Anastasia (Tefta) Kolaci, Etleva Tushi, Reta Pano dhe Nikollaq Pano, Leka Ndoja, Marinta Mirakaj, Elsa Demo, Sokol Çunga, Kristaq Balli, Vasil Ndoni, Josif Minga, Rajmonda Deli, Ajkana Toni, Elona Baçi, Ornela Arapi, Gerla Kotka, Vilma Mirakaj, Mimoza Shqefni, Ylli Trajçe.

































