Tenda e takimit e një oborri

uploads-Tenda_e_takimit_e_nje_oborri_23_02_2023_Photo_Majlinda_Hoxha_4_aa7140ad52.jpg

Për vite me rradhë debati për themelimin e të parës studio fotografike shqiptare ka përfshi mbarë opinionin. Një mori pyetjesh janë ngritë rreth figurës së Pietro Marubbi-t, i cili braktisi Italinë për probleme politike dhe erdhi e u ngul në Shkodër në 1858. A erdhi Marubbi si një fotograf? Kur e themeloi studion e fotografisë? Çfarë pamje kishte kjo studio? Cilët ishin personat e parë që
pozuen aty? Këto kanë qenë disa prej pyetjeve, përgjigjet e të cilave na kanë krijue një përceptim real të fillimeve të para të aktivitetit fotografik të Marubbi-t. Në mesin e viteve ‘60 të shek. XIX Pietro Marubbi shkrepi një mori fotografish të personaliteteve të ndryshme të Shkodrës, si dhe të disa kalimtarëve të rastit, të cilët ai i përdori me gjasa si “modele”. Këto fotografi, në dukje të shkrepuna në studio, në të vërtetë u realizuen në një oborr të hapun, të cilin Marubbi e kishte organizue ma së miri me objekte arreduese të skenografisë. Nga analiza e këtyne objekteve e sendeve të ndryshme që përsëriten nga njena foto tek tjera, na dallojmë gurë, shkurre, pemë, saksi me lule, kafshë të balsamosuna, të cilat ai i përdori si aksesorë plotësues të skenave. Grupe patriotësh, krenë dhe bajraktarë, përfaqësues të fuqive ndërkombëtare, delegatë e politikanë, gra e burra me veshje të qytetit, fshatit e malësisë, të cilët pozojnë në oborrin e madh të kthyem në
studio, janë provat ma autentike të popullaritetit që kishte fitue italiani Pietro Marubbi në Shkodër.
Imazhet Kren(ë)t e Mirditës, me rastin e vdekjes së Bib Dodës; Marash Uci e t’bijt e Calit, tre kren(ë)t prej Hotit; Selim Begu i vogël më Kren(ë)t e Malcisë; Grup gjuetarësh; Vasel Marku i Hotit; Nik Leka i Kelmendit; gra me kostume të katundeve përreth Shkodrës; Mati Kodheli e Plaku i vorfën janë të gjitha fotografi që përbashkohen nga e njajta skenë fotografimi, të cilës i ndryshon vetëm kandi i objektivit të tij. Në këto fotografi dallojmë disa objekte, të cilat përsëriten nga njena foto tek tjetra, si p.sh.: një rrugë prej kalldrami, një dritore e vogël, një derë me qemer guri, një shkallare e drujtë dhe andej një gardh e disa saksi lulesh.Interesante asht se tek fotografia Gani Beg Toptani në mes, me një grup luftarësh, Marubbi nxjerr në oborr dhe fondalet e studios për të krijue një kompozimin ndryshe të fotografisë. Këto fotografi na vërtetojnë edhe randësinë e prestigjit që kishte krijue Marubbi për kohën, mbasi na shikojmë t’u binden “urdhnave” të tij gjithë këto persona me randësi, të cilët i vendos herë ulun e herë në kambë, herë mbështetun te një gur e herë në një pod. Çdonjena prej këtyne fotografive mbetet shumë interesante për t’u analizue se si fotografi e
shndërron oborrin në njëfarë skene ku improvizohen shkrepjet e fotografive të tij. Tue pa fotografitë dhe subjektet që pozonin në të, njëkohësisht kemi ndërtue dhe një panoramë të oborrit.
Imazhi, i cili më ka ba ma së shumti përshtypje asht fotografia e Mati Kodhelit, një ndër të rrallat e gjenduna në arkiv. Ma interesantja e kësaj fotografie asht një mekanizëm me ingranazhe në të majtë, i cili komandon prej poshtë një tendë që zbut dritën e fortë dhe kontrastet e vrazhda, tue e kthye atë oborr nga eksterior në interior.
Imazhet e përzgjedhuna na ofrojnë një version të besueshëm të kontekstit të realizimit të fotografive të para të Marubbi-t. Ata mbase na sugjerojnë se gjithë kjo histori fillon nga një oborr karakteristik shkodran, i cili ishte “paradhoma” e studios, ku erdhën e pozuen personalitetet ma të randësishme të kohës. Randësinë që kishte fotografimi në këtë studio mund ta krahasojmë me kryeveprën e letërsisë shqiptare “Lahuta e Malcìs” të shkrueme nga At Gjergj Fishta, i cili kangën e dymbëdhjetë ia kushton Marash Ucit e t’bijve të Calit, të cilët i kemi pa tue pozue në oborrin e
Marubbi-t.

Një ndër imazhet ma ikonike të ofrueme nga Foto-studio “Marubi” ka qenë fotografia e plakut të vorfën, të ulun mbi një gur. Kjo fotografi më ka ba përshtypje, mbasi kam qenë gjithnjë ndërdyshas, nëse Marubbi e shkrepi këtë fotografi rastësisht apo ky plak erdhi e pozoi për të. Përgjigjen e këtij dyshimi ma kanë hjekë fotografitë, të cilat kanë si pikë të përbashkët fotografimin në të njajtin vend të oborrit. Këta imazhe kjartësisht na tregojnë se nuk janë shkrepje rastësore, por kompozime në oborrin e improvizuem si studio fotografike. Një dëshmi impresionuese ka qenë një tjetër fotografi e këtij plaku të vorfën, në po të njajtin pozicion. Nga krahasimi i këtyne dy fotografive kuptojmë se Pietro Marubbi e përdor këtë person si “model” në studion e tij. Këto dy fotografi janë dëshmia ma e mirë e provave që ai ban për të pasë një imazh sa ma optimal. Jo mëkot fotografia e njohun asht ajo, e cila ka një fokus ma të mirë të figurës, ku gardhi i kopshtit asht ma i
shfokusuem dhe pozicionimi i figurës tek imazhi i parë ta transmeton ma shumë ndjesinë e përjetimit të vorfnisë dhe kushteve mjerane të plakut. Në imazhin e njohun na dallojmë një plak ma të kërrusun, i cili e mbështet ballin e vet tek shkopi, që mban në dorë. Këto fotografi e të tjera si këto ma kanë përforcue idenë se periudha e parë e zhvillimit të fotografisë nga Pietro Marubbi ka të bajë me angazhimin e tij për të fotografue njerëz, të cilët ai i merrte nga rruga dhe i përdorte si modele, tue i kthye në kartolina, të cilat mandej i tregtonte. Negativat e fotografive të kabinet-kartave që ndodhen në arkivin e Muzeut Marubi, si dhe zbulimi i kabinet-kartave në arkivin e bibliotekës së universitetit të Stambollit janë një dëshmi me vlerë që dokumenton të gjithë procesin e fotografimit, të shtypit të kabinet-kartave e deri tek ngjyrosja e disave prej tyne. Këta imazhe janë të parat fotografi që shpërfaqin një Shqipni, e cila deri në vitet ‘70 të shek. XIX ishte krejt e panjohun për të huejt. Këto fotografi të Marubbi-t do të përhapeshin në masë nga litografët vjenezë, të cilët i shtypën tue i kthye ato në karta postale ose, sikurse i njohim na, në kartolina kujtimi me mbishkrimin Souvenir de Scutari d’ Albanie.

Pjesë nga teza e doktoraturës me titull: Pietro Marubbi dhe themelimi i të parës studio fotografike në Shqipëri.
—Luçjan Bedeni, 2021