Moira Ricci
Lookaftering
–“Domethënia e fjalës “Lookaftering”, duke iu referuar fillimisht një përkujdesjeje në akt e sipër (e të evokuar në një farë mënyre në mungesë), na projekton gjithashtu tek marrëdhënia e çuditshme mes shikimit e kohës, vazhdimësia e të cilës, dhënë nga mbrapashtesa “-ing” që e shkëput prej realitetit të fjalorit, duket se mban ende në veprim atë pjesë kohore që për definicion nuk është më. Kemi të bëjmë me një fjalë të përveçme, ku shikimit të ndalur e pa kohë, megjithëse të disponueshëm, i rrjedh një e kryer potencialisht e hapur dhe e mundur. Pak a shumë si në idenë e Grekëve, që sipas Roland Barthes “hynin te Vdekja së prapthi: ajo çka kishin përpara ishte e kaluara e tyre.”
Drejt një perspektive të ngjashme, ku atmosfera e një “kohe tjetër” i përkon një kohë të “tjetërsuar”, orientohet edhe ekspozita e artistes italiane Moira Ricci në Muzeun “Marubi”, me dy vepra të realizuara kryesisht nga ngjarje të jetës së saj private, të cilave i rikthehet me një protagonizëm diskret e në një dialog të pamundur, gati-gati obsesiv, me imazhet e nanës – bashkëautore indirekte e momenteve që ata rrëfejnë.
Nga gjuha e fotografisë tek ajo e videos, qëndrimi i saj mbetet pezull mes një kohe të rrjedhshme e të kthyeshme, e një tjetre që e gjen përfundimisht të shtangur. Në secilën nga veprat, kontekstet, ambientet e situatat ndërtojnë një galeri me imazhe ku artistja s’ka qenë e pranishme, ose asiston përmes vështrimit të dikujt. Në rastin e videos, këtë e bëjnë filmimet e nanës në kohën kur e ndiqte në shfaqje e konkurse. Në to Moira rekuperon koreografitë e veta e marrëdhënien e kahershme me kërcimin. Një histori që e sjell të sinkronizuar me optimizmin e shpenguar të njërës prej kolonave zanore të filmit “Flashdance”; por ndryshe prej ekzaltimit të një ëndrre të realizuar që shpërfaq personazhi në film, aspirata e saj e dikurshme i flet me shumë një nostalgjie, të perceptueshme deri në zhurmat e vogla të videokasetave VHS që e trazojnë lehtë projeksionin.
Përbri tij shtrihet në vijë të njëtrajtshme cikli fotografik “20.12.53 – 10.08.04”, ku invertohet edhe dialogu i shikimeve të tyre. Tani është Moira, e gjendur para ndarjes nga jeta të nanës, që përpiqet ta ndjekë figurën e saj, e t’i afrohet në të vetmin vend akoma të mundur për të: në fotografitë e vjetra të familjes, brenda të cilave futet në kuptimin më direkt të fjalës. Për t’u bërë pjesë organike e tyre, asaj i duhet të inskenojë jo pak, e të vetë-fotografohet; të gjurmojë imazhin, vendin e përshtatshëm që e pret; të kamuflojë veshje e kostume të periudhave të ndryshme; të zbërthejë sipërfaqe e tekstura fotosh; të bëjë të koinçidojë dritën, temperaturën e ngjyrave, e ndonjëherë të presë edhe stinën e përshtatshme për të realizuar shkrepjen… Në stacionin final të procesit, në këtë seri me fotomontazhe, autorja stimulon si të vërtetë e real një iluzion tejet të kuruar pranie, të “paditur” poetikisht (e qëllimisht) vetëm nga vigjilenca e saj melankolike, e izolimi në një kohë që vepron në çdo skaj të fotove, përveçse mbi të.
Jeta e dyfishtë e këtij cikli vjen në kontekstin e Muzeut si një refleks i padiskutueshëm i erës dixhitale e i mundësive që ajo ofron. Si i tillë, më shumë se para dëshmisë e momentit të pranishëm të fotografisë, na vë përballë natyrës së një imazhi të krijuar për një imazh tjetër, e para ekzigjencës intime që i bashkon duke ngarkuar pikërisht të mosqenurit aty, në atë moment, deri në mbërritjen e një normaliteti prej ku ata çlirohen nga varësia e faktit teknik dhe ringjiten në ndërgjegjen tonë afektive si të zakonshëm e njëkohësisht të pamundur.”
Kreditë e ekspozitës
- Kuruar nga
Lek M. Gjeloshi
- Mbështetur nga
Ministria e Kulturës e Shqipërisë
- Mbështetur nga
Ministria e Kulturës e Shqipërisë