Michel Setboun

Fotoreporteri në kohën e duhur, në vendin e duhur

uploads-317746686_10167187622800137_7737804364129538207_n_df7b4ebc3b.jpg

Në nëntor 1944 komunistët e drejtuar nga Enver Hoxha vendosën pushtetin e tyre me anë të forcës në Shqipëri. Ndërtuan një regjim diktatorial në bazë të të cilit ishin ideologjia marksiste-leniniste, e njëjtë me vendet e tjera të bllokut komunist lindor. Komunizmi në Shqipëri karakterizohet nga disa momente deçizive të cilat e ndërruan disa herë kursin politik. Fillimisht ishin marrëdhëniet me Jugosllavinë (1944-48) ato të cilat i kushtuan një rrënim politik e ekonomik të madh vendit. Më pas, duke u bërë pjesë e bllokut komunist lindor (1949-60), Shqipëria ndoqi modelin sovjetik, deri në thyerjen e kësaj miqësie ku si pretekst u përdor arsyetimi i politikave gjoja 'liberale' hrushoviane të ndjekura nga Bashkimi Sovjetik. Miqësia me Republikën Popullore të Kinës (1961-78) karakterizohej nga frymëzimi i Revolucionit Kulturor dhe Ideologjik të Mao Ce Dunit, të cilin Hoxha nisi ta zbatonte edhe në Shqipëri.Pas një fushate të gjatë të shkatërrimit të objekteve të kultit dhe dënimit të klerikëve me vdekje e burgosje, në 1967 Shqipëria u shpall i vetmi vend ateist në botë. Në një kohë kur vitet '60-'70 konsiderohen si strumbullare të ndryshimeve ekonomike të pas-Luftës, të karakterizuara nga 'lufta për të drejtat e grave', 'protestat anti-luftë', 'ambientalizmi', 'revolucioni seksual', 'të drejtat civile' etj., shqiptarët kalonin periudhën më intensive të terrorit. Festivali i 11-të i Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar (1972) u bë shkak që në Plenumin IV të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare (1973), të merreshin vendime për dënimin e artistëve dhe intelektualëve me burg e punë të rëndë, për ndikimet e huaja të shfaqura, që devijonin nga korniza ideologjike dhe estetike e realizmit socialist.
Shqipëria u kthye në një vend plotësisht të izoluar. Udhëtimet jashtë vendit u lejoheshin vetëm funksionarëve të lartë të regjimit dhe një numri të kufizuar personash për pjesëmarrje në aktivitete sportive apo arsimore. Për 45 vite kishte çdo ditë shqiptarë që tentonin të arratiseshin, me rrezikun e lartë të vrasjes në kufi apo kapjes me pasojë dënimin e rëndë për tradhti ndaj atdheut, kurse familjet e të arratisurve internoheshin në kampet e diktaturës. Periudha e fundit e komunizmit është ajo e vetë-izolimit dhe degradimit të thellë ekonomik, në një kohë kur Shqipëria nuk kishte më asnjë aleat në vendet komuniste. Kjo periudhë përkon me vdekjen e Enver Hoxhës (1985) dhe ardhjen në pushtet të Ramiz Alisë, një anëtar i Byrosë Politike i cili bashkë me të venë e diktatorit, udhëhoqën vendin deri në rënien e komunizmit në 1991.

Janë të rralla fotografitë e shkrepura nën diktaturë që dëshmojnë realitetin e skamjes ku jetonin shqiptarët. Kjo nuk është një rastësi pasi Sigurimi i Shtetit, organi i konsideruar si 'syri i diktatorit' kontrollonte burimet e komunikimit, përfshirë këtu edhe studiot fotografike të cilat u shtetëzuan dhe u kthyen në reparte të shërbimit fotografik. Po ashtu, fotografitë që botoheshin në gazeta e revista duhej të kalonin më parë në filtrin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, që në një farë mënyre luante rolin e një 'laboratori të formësimit të Njeriut të Ri’. Këtij kontrolli nuk i shpëtuan as turistët e huaj, lëvizjet e të cilëve gjurmoheshin për të mos u lejuar të shëtisnin kudo dhe të fotografonin realitetin. Të huajt e vetëm që hynë në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës ishin delegacionet politike të shteteve mike komuniste, sportistë për aktivitete ndërkombëtare, si dhe turistë të pakët sipas limitit që përcaktonte regjimi përmes filtrit të 'Albturizmit', të vetmes agjenci shtetërore për turizmin.

Michel Setboun ishte vetëm 17 vjeç kur filloi udhëtimet e tij nëpër botë. Në njërin prej tyre tek vizitonte Jugosllavinë, pati rast të ndalonte edhe në Kosovë. Ky ishte momenti që zgjoi tek ai kuriozitetin për të parë Shqipërinë e izoluar. I kamufluar si pjesë e një grupi të rinjsh marksistë francezë që vizitonin Shqipërinë në kuadër të miqësisë mes dy vendeve, Setboun vjen për herë të parë në 1981. Të kësaj vizite janë shkrepjet e serisë ‘Shqipëria në vitin 1981', në të cilën nuk gjejmë asnjë imazh që tregon realitetin e burgjeve, kampeve të internimit, shkatërrimin e objekteve të kultit apo skamjen ku jetonin shqiptarët. ‘Jeta në rrugë nën regjimin komunist në Shkodër' është e vetmja foto e shkrepur tinëz, në të cilën dallohet habia që shqiptarët kishin kur shikonin të huajt. Të bën përshtypje që me përjashtim të këtij imazhi, në këtë seri nuk e shikojmë dot Michel-in fotograf, por vetëm regjinë e pushtetit e cila kishte një sistem të tërë trukimi, për ta shfaqur Shqipërinë një vend të lumtur e të begatë. I ndërgjegjshëm për ekzistencën e një realiteti tjetër, ai rikthehet në 1986 e çdo vit me rradhë deri në rënien e komunizmit në 1991. Udhëtimet nëpër Shqipëri gjatë këtyre viteve ai i dokumenton në seritë fotografike ‘Shqipëria e pakohë' dhe ‘Rënia e komunizmit'. Ardhja e Setboun-it në ‘90-tën ishte e ndryshme prej kohës kur vinte i kamufluar si turist në një vend të izoluar. Këtë herë ai shfaqet si fotoreporteri në aksion që punonte për agjencitë e huaja të lajmeve të cilat donin të dokumentonin rënien e sistemit komunist. Për të kuptuar rëndësinë e tij, mjafton të kërkojmë në Google dhe të shikojmë se shkrepjet e Setboun-it janë ato që fiksuan ikjen e madhe të shqiptarëve në Evropë më 2 korrik 1990 - të paraqitura në serinë ‘Exodus' - zgjedhjet e para pluraliste në serinë 'Fillimet e demokracisë' dhe ngjarjet e ndodhura pas Demonstratës Antikomuniste të 2 prillit 1991 në Shkodër në serinë ‘Trazirat dhe funeralet e prillit 1991'. Në shkrepjet e Setboun-it një vend të rëndësishëm zë edhe Shkodra, qyteti që gjatë diktaturës kishte qenë epiqendra e persekucionit, e ku filluan edhe lëvizjet e para demokratike në 1990. Ndryshe prej serive të tjera të cilat kanë një fokus më politik, Michel-i shfaq interes edhe për religjionin. Seritë ‘Rilindja e Kristianizmit dhe Islamit' na dëshmojnë për një sy të vëmendshëm në dokumentimin e rifillimit të lirisë së besimit. Në qendër të kësaj marrëdhënieje vendoset figura e Dom Simon Jubanit, priftit katolik që kishte qenë i burgosur për 26 vite e që më 4 nëntor 1990 mbajti meshën e parë që i parapriu rrëzimit të diktaturës. Kjo ekspozitë është e fokusuar vetëm në rolin e Setboun-it në dokumentimin e rënies së regjimit komunist në Shqipëri e të disa ritualeve që shkrepi pas viteve '90, por jo në udhëtimet e tij të mëvonshme.

Michel Setboun njihet ndërkombëtarisht si fotoreporteri i Agjencisë SIPA që fiksoi ‘Luftën për Pavarësi në Angola' (1976), ‘Luftën Civile në Liban' (1976), ‘Luftën Civile në El Salvador' (1979) ku edhe mbeti i plagosur, ‘Luftën Sovjeto-Afgane' (1979), ‘Revolucionin Islamik Iranian' (1979), ‘Luftën Irak-Iran' (1983), ‘Krizën nigeriane e refugjatëve' (1982) me të cilën fitoi çmimin e parë të World Press Photo dhe ‘Sulmin e kullave binjake në New York’ (2001).