Lala Meredith-Vula
Urtësi sot e mot
–Fjalët që karakterizojnë ekspozitën e Lala Meredith-Vula në Muzeun “Marubi” në Shkodër i gjejmë të shkruara mbi një pankartë, në njërën nga fotografitë që artistja shqiptaro-angleze shkrepi në Vranjevc të Prishtinës, më 4 maj 1990. Ato shprehin parimet që udhëheqin një transformim historik delikat brenda një komuniteti. Këto fjalë duket sikur përkojnë me të gjithë punën artistike të Meredith-Vula e cila na paraqitet si imediate dhe e çdokohshme duke u integruar me proçeset e ngadalshme që kërkojnë një shoqëri të gatshme për të pranuar një ndryshim të tillë si dhe bashkëveprim me tokën, duke përfshirë këtu edhe materialet natyrore që ajo ofron.
Në gusht 1988, katër ditë pas instalimit të ekspozitës së famshme “Freeze” me studentët e artit të Goldsmith, Lala Meredith-Vula e la Londrën (qytet ku ishte vendosur në moshën katër vjeçare pas ikjes nga Sarajeva) për të shkuar në fshatrat e Kosovës, ku ajo filloi të fotografonte mullarët. Në këto forma agrare, ajo kishte gjetur “thelbin e veprës së artit.” E nëse dëshironte të rilidhej me atdheun e saj, një dëshirë e tillë abstrakte duhej të rrënjoset diku thellë në tokë, ashtu si vetë mullarët.
Pas tre dekadash dhe qindra fotografish, projekti vazhdon akoma. Por roli i Meredith-Vula si dëshmitare u transformua kur në vitin 1990, ajo mësoi mbi planet e pajtimit të gjakrave në rajonin ku kishte fotografuar mullarët. Duke vënë mënjanë për pak kohë magjepsjen nga skulpturat rurale, ajo e orientoi objektivin e saj drejt qindra njerëzve që grumbulloheshin nën drejtimin e folkloristit dhe studiuesit Anton Çeta (1920-1995), për të përmbyllur në mënyrë ceremoniale, gjakmarrje që kishin vazhduar për shekuj të tërë, duke paralizuar kështu edhe vetë komunitetet.
Dy seritë më përfaqësuese të Lala Meredith- Vula – *Haystacks* (Mullarët) dhe *Blood Memory* (Kujtesë Gjaku)- janë sjellë për të ndërvepruar me hapësirën e Muzeut “Marubi”. Përzgjedhje fotografish nga këto dy punë janë ekspozuar në Athinë dhe Kassel, në kuadër të ekspozitës ndërkombëtare documenta 14. Përtej tyre, një imazh historik- ai i fotografisë së Kel Marubit në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Kalanë e Shkodrës më 19 mars 1914, pjesë e ekspozitës Rroftë! kuruar nga Blerta Hoçia - është përfshirë këtu për të hapur një dialog mes imazheve unike të Meredith-Vula me trashëgiminë e pasur të dinastisë Marubi si dhe me historikun e këtij muzeu, të themeluar në nderim të tyre.
Puna e Meredith-Vula mbart një peshë të veçantë për çështje të tilla mbi të cilat ne vazhdojmë të pyesim veten lidhur me mënyrat politike, ekologjike dhe estetike që ne mund të imagjinojmë të përdorim për të gjetur rrugëdalje në kriza të shumëfishta e të ndërlidhura- gjakmarrje që prishin komunitete, tjetërsimi i marrëdhënies me tokën, humbja e memories. Grumbullimi i avashtë i komunitetit e po ashtu edhe ndërtimi i mullarëve (ashtu si takimi fatlum mes artistit dhe kuratorëve) që bashkohen në këto fotografi, janë dëshmi e një urtësie që rritet me kohën.
Kreditë e ekspozitës
- Kuruar nga
Monika Szewczyk
- Falenderime
American Bank of Investmens
Familja Gjergj e Natalia Leqejza
Erzen Shkololli