Dedë Jakova
–Dedë Jakova (1914-1973) lindi në Shkodër, në nji familje intelektualësh. U shkollue në kolegjin saverian të qytetit, ndërsa mësimet e para mbi fotografinë i mori pranë Kel Marubit. Në vitin 1932 hapi studion e vet, “Foto Jakova”, dhe në gjysën e viteve ’30-të ishte përfaqësues në rang kombëtar i filmave fotografikë “Ferrania” e “Lomberg”, për të cilët kishte ekskluzivitetin. Realizoi me botues të ndryshëm kartpostalet e kohës dhe kishte primatin si shoqnues e fotograf i alpinistave në majat ma të nalta të vendit.
Aktiviteti i tij, i zhvilluem kryesisht në Shkodër, përshkohet nga kalime të forta ideologjike e politike: prej frymës së monarkisë e ndikimit të fashizmit italian, në konsolidimin e regjimit diktatorial të komunizmit.
Në këtë sistem u ndesh me procesin e shtetizimit, në vitet ’60-të, i cili kulmoi me mbylljen e studiove fotografike private. Dëshmite e kohës thonë se Jakova, mbas shumë ngurrimesh dhe trysnisë së fortë të taksave, ishte autori i fundit që u ba pjesë e Kooperativës së Shërbimeve. Në vitin 1970 iu bashkue fotografëve të tjerë që e dorëzuen në shtet fondin e tyne, duke lanë në trashigimi prej rreth 58.000 negativësh në xham, planfilm e film rul.
Përgjatë ngritjes së ekspozitës jemi ballafaque s’parit me dendësinë e veprës së tij. Në nji moment të dytë kemi shqyrtue regjistrat e autorit dhe asht ba kështu nji përzgjedhje. Në çdo rast, parësia e imazhit ka njazue situata e periudha përtej rendit historik.
Nji referencë e randësishme ka qenë atlasi me imazhe i historianit gjerman të artit Aby Warburg. Bahet fjalë për nji bashkësi tabelash të pagëzueme “Mnemosyne” – emni i hyjnisë mitologjike të kujtesës, nanës së muzave – në siperfaqet e errta të së cilave rreshtohen, në formë kolazhi, riprodhime veprash arti, copa gazetash e fotografí simbas temave përkatëse. Në to kërkohet arketipi, deshifrohen posturat, kontrastet e gjesteve, por janë kryesisht rrugët e nëndheshme që i mbajnë afër imazhet, të cilat nxisin nji marrëdhanie fqinjësie që zavendëson, përfundimisht, parimin e kronologjisë.
Ky sendertim i historisë si dukuri figuracionesh asht nji prej paradigmave ma të koklavituna të natyrës kërkimore e të lexueshmënisë historike. Repertori i saj ikonografik, i rrëmujshëm në dukje, emancipon pikëspari idenë e akumulimit heterogjen në siperfaqe dhe i hapet prumjeve interpretuese nga çdo fushë e lamí studimore.
E, megjithatë, në rastin tonë, qasja ndaj këtij shembulli ka ardhë pikërisht në mungesë të koordinatave, duke iu përgjigjë instiktivisht vorbullës së arkivit, ku imazhet pshtjellohen vetvetishëm edhe pa vû dorë. Aty gjejmë nokturne vitrinash, pra edhe rrugë të zbrazta; zyrtarë të naltë shteti në çdo regjim e në vazhdë të çdo miqësie strategjike; nji natyrë të qetë gjatë shërbimit në kooperativë; nji darsëm imagjinare; rituale të mveshuna me atë kinetikë që do ta molisë gjanësisht pikturën bashkëkohore nën petka të filmit; e mandej rreshtime e parada që rezervojnë pak poza për nji mort të asaj ditë; ushtrime gjimnastikore e histeri gjestesh të fërkueme nga mospërputhja e hollë mes shpejtësisë së shkrepjes e shpejtësisë së veprimit.
I përveçëm mbet nji arrestim publik para Dritëshkrojës “Marubi”, ku në sfondin e ngjarjes vërejmë edhe Kelin, tashma drejt fundit të aktivitetit të konsoliduem si fotograf zyrtar i mbretit, duke kundrue pasivisht atë që, për hovin e ri të Jakovës, bahet objekt interesi dhe gjurmë e nji zhdërvjelltësie të re. Nji kapërcim qasjesh e dinamikash që ndërmend diçka prej atij kalimi të pakthyeshëm në Atelierin Nadar, mes Felix-it e Paul-it, ku kodet ndryshojnë, tregtia e fotografisë dhe hierarkia shoqnore e subjekteve të kthjelltë i len vend atyne teatralë e ekstravagantë.
Kësisoj, rasat ku autori i asht përgjigjë çastit, ose kur ky çast ka veprue mbi te, janë nji limb joshës, e shpeshherë i padepertueshëm. Këndej nesh mbet freskia e imazheve, ajo atmosferë tolerante që ia mundëson lojën montazhit të trilleve, e paktit të pashmangshëm me shajní.
Nji tjetër zbulesë e randësishme gjatë kërkimit ka qenë vetë Jakova. Përtej veprimtarisë si fotoreporter i ngjarjeve të kohës, ai shfaq nji lirshmëni të madhe edhe si subjekt i saj; nji prirje performative që e sposton befasisht, e pa kurrfarë vaniteti, në mbrendí të imazhit. Në të vërtetë, nuk janë të pakta dëshmitë fotografike të autorëvë të tjerë të arkivit që kanë eksperimentue në këtë drejtim. Porse në rastin e Jakovës, këtë tendencë e ndeshim kryesisht jashtë studios, në kontakt të drejtpërdrejtë me individë e rrethana rastësore, me të cilat ai bashkëvepron. Kjo qasje e vetdijshme do ta veçonte fotografinë e tij, si gjest, prej botëkuptimit tradicional të inskenimit, në kontekstin ku ka ushtrue profesionin.
Prej këtij konteksti, Jakova trashigon emertesën “fotograf i rinisë”. Diçka që në perceptimin popullor duhet të ketë gjetë shkak te mosha e tij e re, ose te ajo e subjekteve, në statusin e tyne civil. Të fejuem e të martuem, portrete grupesh shoqnore në studio i kalojnë mbi 20.000 negativë.
Megjithëse ky zhanër, në tanësinë e vet, ndërton ma fort nji elter dramatikash e përjetimesh njerzore. Shikimet e hedhuna herë majtas, herë djathtas, të kullueme prej ndriçimit në studio, nuk na e tregojnë mirazhin e soditun, mbasi ai mbetet gjithëherë jashtë kuadrimit fotografik.
Arkivi na ka diktue rrugë të tjera për ta rilexue këtë aspekt, pa lanë jashtë frymën e shpengueme dhe hedonistike që e mbështjell rininë si term.
Pikërisht në morinë e situatave që Jakova provokon, e ku autorët e shkrepjeve janë, simbas rastit, të njoftun (Gegë Marubi mbi të gjithë) e të panjoftun (ndoshta shokë), të krijohet përshtypja se ata në çdo rast i përgjigjen nji kërkese të posaçme të Jakovës. Kjo nevojë për të performue mbi imazhin, kulmon te nji pozë ku ai improvizon mbi krye, me buzë në gaz, nji kunorë me lule. Çka në pamje të parë na duket veç nji foto lojcake, bjen me vedi nji analogji që e mvesh autorin me tiparet e Dionizit – hyjnisë rebele e sarkastike të mitologjisë greke. Kemi të bajmë me nji referencë që s’duhet nenvlerësue, mbasi nuk duhet të ketë qenë e huej, as e rastësishme, për Jakovën. Pak metra larg studios së tij ndodhet Kafja e Madhe, vendi ku gjallonte dikur jeta e qytetit. Kjo ndërtesë e fotografueme, përveçse e frekuentueme prej tij, e ka mbi derë edhe sot, si simbol pritës, basorelievin e këtij miti.
Nga nji tjetër pikëpamje e gjuhë, ka qenë piktura e Caravaggio-s ajo që e ka ravijëzue botnisht këtë figuracion mitik. Edhe aty subjektin – të njoftun ndryshe si Baku – e gjejmë me nji kunorë floreale rreth vedit, mirëpo qëndrimin e ka të sprovuem, e në shikimin e dehun me kupë të vênës në dorë, nuk ka galdim. Thanë ndryshe, aty mbërrijmë dukshëm mbas festës. Në rastin e Jakovës, ajo festë (dioniziake) asht ky çast i fotografisë. Atij i besohet nënqeshja e mbetun përfundimisht në akt e, mrekullisht, në formë trasgresioni të lehtë e shpotitës kundrejt gjithë kësaj. Pra edhe kundruell mitit të fotografisë, ku realja e humbun pretendohet se asht rishtas e muejtun.
Kreditë e ekspozitës
- Curated by
Lek Gjeloshi
- Mbështetur nga
Ministria e Kulturës e Shqipërisë
- Falenderime
Familija e fotografit Dedë Jakova
Zef Paci