Paraphernalia

uploads-Paraphernalia1_711be06666.jpg

Shan Pici, Pamje parfumesh "Pogu", Shkodër, 1929

uploads-Paraphernalia2_a0d97a55b8.jpg

Shan Pici, Pamje parfumesh "Pogu", Shkodër, 1929

uploads-Paraphernalia3_aca8774956.jpg

Shan Pici, Pamje parfumesh "Pogu", Shkodër, 1929

uploads-Paraphernalia4_70f26e3203.jpg

Shan Pici, Pamje parfumesh "Pogu", Shkodër, 1929

uploads-Paraphernalia5_2bea06900a.jpg

Shan Pici, Pamje parfumesh "Pogu", Shkodër, 1929

uploads-Paraphernalia6_251c7905bd.jpg

Shan Pici, Pamje parfumesh "Pogu", Shkodër, 1929

uploads-Paraphernalia7_dd73ae8d17.jpg

Shan Pici, Pamje parfumesh "Pogu", Shkodër, 1929

uploads-Paraphernalia8_36d0288664.jpg

Shan Pici, Pamje parfumesh "Pogu", Shkodër, 1929

uploads-Paraphernalia9_f072984722.jpg

Shan Pici, Pamje parfumesh "Pogu", Shkodër, 1929

uploads-Paraphernalia10_17c2f3dff8.jpg

Shan Pici, Pamje parfumesh "Pogu", Shkodër, 1929

uploads-Paraphernalia11_0ef0265004.jpg

Shan Pici, Pamje parfumesh "Pogu", Shkodër, 1929

Ka parfume të forta për t’cilat çdo landë
asht poroze. T’thotë mendja se edhe qelqin e shpojnë.
Kur hapin një syndyk, ardhë prej Orienti,
që brava i kërset e i cijzë me za gërvishtës

o në një shpi të shkretë, n’ndo’j raft të moçëm
plot me erën e athët të kohës, të zi dhe të pluhnosun,
qëllon kajherë me gjetë nji shishkë që mban mend
prej kah i gjallë kërcen nji shpirt i çuem lugat. 1

– Charles Baudelaire

Kontaktin ma të parë me fotografinë e kam pasë me nji album të Dinastisë Marubi, të prodhuem në Francë: Albanie. Visage des Balkans. Écrits de lumière, Arthaud, 1995. Nji ish nxanës i gjyshes ia kishte dhurue asaj në shenjë respekti. E shfletova mbi nji baulë, ku ruente lloj-lloj sendesh (edhe librin në fjalë). Prej atij çast automatik shfletimi, e të painteresuem, ruej të kthjellët veç megjepsjen që provova para fletëve të zeza futë, ku ishin vendosë imazhe me cepa të thyem.

Nji trajtë fotografike kësisoj, e pakopsitun gjeometrikisht, m’u paraqit edhe vite ma vonë, kur u ndesha rishtas me nji album të arkivit në fjalë, i cili bante bashkë nji numër ma të madh autorësh: Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi, FKM, 2015. Edhe këtu pjesa dërrmuese e fotografive ishte faqosë në të zezë, por ishte ma e fikun se ajo e francezëve.

Më patën ba përshtypje katër fotografi të Shan Picit (1904-1976), të cilat e ndërprenin ritmin mbizotnues e imponent të katalogut me rituale solemne, me sfonde idilike e subjekte të shtangun. “Fotot e mia”, në atë çast, ishin veç disa produkte e qelqurina të shkrepuna në vitin 1929, pesë vite mbasi Shan Pici bashkë me vllaznit e tij, Tefën e Ndrekën, kishin hapë në Shkodër studion “Fotografija Pici” (nji studio që këtë vit do të kishte celebrue 100 vjetorin e themelimit të saj).

Me shpejtësinë e beftë të shikimit, kur ai don me i rrokë përnjiherë impulset, dizajni i atyne shishe, drita eterike e mbrapaskenës së pezullt, kaligrafitë e etiketat, portretet e damave, format e shkallëzueme e peshtahet, evokonin aspirata mondane e botë të largta. Tregonin, gjithashtu, për seriozitetin me të cilin këto produkte ishin konceptue e qitë në treg.

Me nji shpejtësi tjetër – këtë herë ma cerebrale – ato produkte, përtej pasunisë së naltpërmendun, m’u rikrijuen si konglomerat i mistershëm, si “paraphernalia” që qarkullonin rretheqark asaj qendre ku rrezatonin aspirata përparimtare e marrëzi të përbotshme: siç e përkufizonte Baudelaire-i – “poeti lirik në erën e kapitalizmit të epërm” – Parisin e kohës së vet.

Ma fort se para do sendesh kozmetike, pata pershtypjen se ishin flakonë me eliksir, porcione të mbështjellun me temjan e opium, me merkur e shishe “Absinti” që do të servireshin – ashtu siç e kërkonte zakoni ma i mirë i poetëve “maudit” – nën dorë.
Nji përfytyrim që fotografia vetë e kishte distilue me psikedelinë e saj kimike, me xhelatinën e thatë e krypën e argjendit mbi xham, të rrafshueme mbi fletë të albumit si “lule herbariumi”.

Në vitet 1920, në Shkodër, Vllaznit Pogu kishin ndërtue fabrika: voji, sapuni, duhani, e tregtonin edhe parfumet në fjalë. Fabrikat e tyne punonin me makineri të ardhuna prej Perendimit. Vite ma vonë, mbasi regjimi komunist u konsolidue, fabrikat iu mbyllën, pasunitë iu sekuestruen dhe Tefë Pogu u dënue me burg. Tregojnë – e këto janë dëshmitë e së bijës – se gjyqi iu ba në shpinë e tij.

Ndërkohë, në panoramën ndërkombëtare, falë zhdërvjelltësisë me të cilën përdorimi i imazhit ishte thurë me rekuizitat e një “marketingu” si të thuesh ante litteram, fotografia e reklamës kishte pasë rritje eksponenciale. Nëse në vitet 1920 kjo tipologji fotografike ishte përdorë në ma pak se 15 përqind të reklamave të ilustrueme në revistat e masës, në vitet 1930 përqindja kishte shkue thuejse në 80. Përgjatë atyne vite, estetika publicitare dhe efektet e saj, butësia e atmosferave glamour, sloganet hiperbolike etj., ndoqën, paralelisht, edhe zhvillimet e dizajnit industrial.

Në kontekstin tonë historik këto premisa mbetën sporadike. Vorbulla e shtetizimit, ma tej, mori para çdo iniciativë (përfshi këtu edhe studiot e fotografëve qytetës), e i la mbrapa si tendenca të venituna. Potenciale që i ruejmë, në konkluzion, si gjurmët e mbrame të nji “krisalide mortore”: të nji larve që s’mbrriti me u ba kurrë flutur.

Kuruar nga Lek M. Gjeloshi

  1. Fragment nga “Shishja e vogël” (“Le Flacon”), Charles Baudelaire (përkthye nga Primo Shllaku), Lulet e së Keqes (Les Fleurs du mal), Albas, Tiranë 2018, f. 69.
  2. Në vitin 2013, Fototeka Kombëtare “Marubi” botoi për Shan Picin nji album, të fokusuem mbi peizazhin, zhanër për të cilin ai asht pionier në fotografinë shqiptare. E, megjithatë, edhe ky aspekt, njisoj si imazhet e kësaj trajtesë, mbesin veç kahe të nji aktiviteti të larmishëm, që la mbrapa rreth 54000 negativë në xham e celuloid.
  3. Kështu titullohet vepra e Walter Benjamin mbi Baudelaire-n.
  4. Dizionario della fotografia I, kuruar nga Robin Lenman, ed. it. kuruar nga Gabriele D’Autila, Einaudi, Torino 2008, ff. 402-403.