Ftesë e hapur: Na ndihmoni të rijetëzojmë Pazarin e Humbur të Shkodrës përmes Fotografive dhe Kujtimeve Tuaja

25-04-09-Pazari i Shkodres.jpg

Na ndihmoni të rijetëzojmë Pazarin e Humbur të Shkodrës përmes fotografive dhe Kujtimeve Tuaja

Në kuadër të punës kuratoriale për ekspozitën “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” ju ftojmë të kontribuoni në këtë ekspozitë të veçantë, kushtuar kujtesës pamore të Pazarit të Vjetër të Shkodrës.

A ruani ju apo familja juaj fotografi të Pazarit të Vjetër?

• Fotografi që paraqesin Pazarin e Vjetër dhe zonën rreth tij;

• Fotografi të dyqaneve, ndërtesave, zanateve, njerëzve brenda dhe përreth pazarit;

• Çdo informacion, histori ose kujtim që mund të ndani në lidhje me atë që shihet në fotografi: vendndodhjen, njerëzit, ngjarjet, fotografin ose kontekstin.

Pse kontributi juaj është me rëndësi?

Pazari i Vjetër, dikur zemra e gjallë e jetës shoqërore dhe tregtare të Shkodrës, ka humbur. Zona ka ndryshuar, por me ndihmën tuaj, ne mund të rindërtojmë një arkiv vizual për të ruajtur rolin e tij identitar për qytetin e Shkodrës, tek brezat e ardhshëm.

Si të Kontribuoni?

• Sillni fotografitë tuaja në muze (ku do t’i skanojmë dhe do t’jua kthejmë përsëri)

• Përpiloni një tekst informues rreth çdo detaji që njihni: datën e përafërt, vendndodhjen, emrat e njerëzve dhe çdo histori ose kujtim që dëshironi të ndani.

• Nëse sa më sipër nuk është e mundur: skanoni ose fotografoni fotografitë tuaja të vjetra (preferimisht me rezolucion të lartë) dhe na i dërgoni me email në info@marubi.gov.al deri më 19 maj 2025

• Kontributet e përzgjedhura do të paraqiten në ekspozitë, botime të mundshme ose ekspozita të ardhshme udhëtuese (me miratim nga ana juaj)

• Në rast pyetjesh na kontaktoni në info@marubi.gov.al

Faleminderit që u bëtë pjesë e këtij projekti që ringjall kujtesën kolektive të Pazarit të Humbur të Shkodrës!