Tenda e takimit e një oborri

7_D2_A9142_Marubi_Museum_Blerta_Hocia_afa2bdef39.jpeg

Vendndodhja dhe aktiviteti i studios së parë fotografike të ngritur nga Pietro Marubbi në Shkodër ende nuk dihet. Viti 1856 mbetet data e themelimit të studios në Shkodër.

Në tekstet e botuara gjejmë të shkruar se studioja e parë e pajisur me mjete të nevojshme të kohës u ndërtua gjatë viteve 1885-1890. Ajo përfshinte një mjedis prej 5 x 7 m të pozicionuar në kahun verilindor. Dy të tretat e pullazit dhe e tërë fasada ishin prej xhami me qëllim që drita të hynte në sasi të barabartë, si nga sipër ashtu edhe nga anësoret. Xhamat mbuloheshin me perde të mëdha bezeje, që lëviznin sipas nevojës për dritë. Aparatet e para fotografike që përdorën qenë me përmasa 30 x 40 cm të markave franceze e gjermane me kasetë për dy negativë 26x31 dhe 21x27 cm. Fotografimi me këtë aparat bëhej në hije, në natyrë. Më vonë hyri në përdorim aparati me përmasat 18x24 e 13x18 cm, i mbështetur në trekëmbësha druri.

Studio fotografike “Marubi” nuk prodhoi vetëm për nevojat personale apo familjare të qytetarëve. Fotografitë me interes etnografik, historik apo gjeografik ilustruan me dhjetra vepra të autorëve të huaj për Shqipërinë ose u botuan në trajtën e kartolinave. Fotografitë e saj janë një pasuri e rrallë për historianët, etnografët, arkitektët, urbanistët, artistët, etj.

Grupe patriotësh, bajraktarë e kryengritës, përfaqësues të Komisionit të Kufijve, delegatë e politikanë, gra e burra me veshje qyteti, fshati e malësie, pozojnë të gjithë brenda një oborri shkodran. Krerët e Mirditës të ardhur në Shkodër me rastin e vdekjes së Bib Dodës pozojnë tek i njëjti oborr me kalldrëm e murë me gurë Kiri. Nga një kënd tjetër pozojnë dhe Marash Uci e të bijtë e Prek Calit. Gjejmë në këto dy fotografi të njëjtën skenë, por me kënd fotografimi të ndryshëm. Personazhet pozojnë veçmas e bashkë përballë fotografit që me stativin e tij të fiksuar në një vend lëviz vetëm këndin e objektivit të tij në oborr. Në fotografinë e parë, dritarja është thuajse në profil ndërsa tek e dyta është në mes e përballë. Pas dritares shikojmë derën që përsëritet në dy fotografi ndërsa tek të tjerat gjejmë të përsëritet cepi i një shkalle. Gjithashtu po të futemi në brendësi të këtyre fotografive, ndjejmë gjurmët e stinëve prej veshjes së njerëzve si dhe prej gjendjes, pranisë apo mungesës, së gjetheve të pemëve. Por nga kjo kuptojmë që fotografi e paska përdorur këtë oborr për një kohë të gjatë duke fotografuar personazhe, të cilët i vendos herë ulur e herë në këmbë, herë mbështetur në një gurë e herë në një pod. Në secilin imazh mbetet shumë me interes për të analizuar se si fotografi e shndërron oborrin në një skenë ku improvizon shkrepjen e fotografive të tij. Teksa i shohim, krahas subjekteve që pozojnë, hedhim njëkohësisht vështrimin rrotull oborrit. Ndër ta të bën përshtypje fotografia e Mati Kodhelit, një ndër të rrallat e gjendura në arkivë. Ky imazh mbetet i veçantë për faktin se dallohet ndërhyrja e fotografit që kujdeset për çdo detaj. Nga sa kuptohet, poza është marrë në një ditë të ftohtë sepse pemëve u kanë rënë gjethet. Fotografi është kujdesur që gardhi ku do të pozojë personi të jetë sa më i plotë me drurë e rrënjë të marra nga diku tjetër. Por më interesantja aty është marrëdhënia me dritën. Në të majtë shikojmë një mekanizëm ingranazhesh i cili lart komandon një tendë që zbut dritën e fortë dhe kontrastet e vrazhda duke e kthyer atë oborr nga eksterier në interier.

Imazhet e përzgjedhura na ofrojnë një version të besueshëm të kontekstit të realizimit të fotografive të para të Marubbi-t. Ato mbase na sugjerojnë se gjithë kjo histori fillon nga një oborr karakteristik shkodran që është njëkohësisht skena ku erdhën e pozuan subjektet e ndryshme.

Qe një oborr si gjithë të tjerët, i rrethuar me mure, me pemë e shkurre e prej ku shihej dera dhe dritarja e shtëpisë, shkalla dhe një parmak me shkopinj. Qe një oborr edhe në kuptimin e një selie ku mund të hynin e rrinin mbreti, princi e bajraktari, por edhe një strehë për katundarin dhe lypësin. Qe një oborr që kishte avantazhin e fotografimit me dritë natyrale. Meqë duhej të rregullohej intensiteti i dritës, ai oborr mbulohej me një cohë që zbuste dritën duke u kthyer në një tendë ku rrihej për një kohë të shkurtër.

Për këtë arsye ngjante si ‘tenda e takimit’, një vendtakim për të gjithë, vendas e të huaj që vinin e hynin aty për të takuar veten nëpërmjet Marubit.

Kreditë e ekspozitës

  • Kuruar nga

    Luçjan Bedeni

  • Mbështetur nga

    Ministria e Kulturës e Shqipërisë
    Fondi Shqiptar i Zhvillimit