Marubi Celebron Origjinalët
–Të flasësh për origjinalin në kontekstin e fotografisë ngjall gjithmonë shumë diskutime. Për këtë një nga filozofët e parë të modernizmit klasik, Walter Benjamin në “Vepra e artit në epokën e riprodhimit të saj teknik” deklaronte se fotografia nuk ka aura duke i mohuar asaj origjinalitetin që mund t’i atribuohet një vepre arti.
Koncepti i “stampës origjinale” në fotografi cilëson një pozitiv që riprodhohet menjëherë pas krijimit të negativit, nga fotografi ose nën kujdesin e tij. Këto janë “origjinalet” e mediumit fotografik. Stampat origjinale të fotografëve të famshëm janë gjithmonë punime dore. Mesatarisht, nga çdo negativ prodhoheshin tetë deri në dymbëdhjetë stampa. Nga këto, vetëm pak kanë mbijetuar në ditët tona. Pjesa më e madhe e fotografive të kësaj ekspozite janë kopjet e fundit ekzistuese të një negativi të ruajtur në Muzeun “Marubi”.
Dixhitalizimi e ka transformuar fotografinë nga një “realitet dhe medium i të vërtetës” në një “nga mediumet e imazhit” thotë Urs Stahel, themelues i Muzeut të Fotografisë “Winterthur” në Zvicër. Përtej kësaj, ajo mbetet e lidhur me “skanimin e botës” dhe imazhet sot përdoren kryesisht për komunikim në rrjetet sociale. A është apo s’është e mundur të ruhen fotografitë bashkëkohore për kohëra të gjata, ashtu siç ka bërë Muzeu “Marubi”, kjo është akoma për t’u parë.
Gjatë përgatitjeve të ekspozitës më ka shqetësuar kryesisht një fakt: nga Studio Marubi kemi trashëguar në ditët tona qindra mijëra negativë. Ato sot ruhen me standarte bashkëkohore ndonëse një pjesë e tyre, negativë prej xhami, janë dëmtuar. Po pse është kaq e vështirë të gjenden stampat origjinale? Muzeu “Marubi” posedon vetëm disa prej tyre.
Sipas meje, nga njëra anë qëndron puna e studios fotografike, falë së cilës kanë arritur në ditët tona këto stampa të rralla. Fotografitë shiteshin dhe negativët arkivoheshin, në rast se klienti i kërkonte përsëri. Nga ana tjetër lind edhe pyetja: kush ishte klienti i zakonshëm i Dritëshkronjës Marubi nga viti 1858 deri në 1945 dhe si ndryshoi kjo me ardhjen e regjimit komunist?
Me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës në vitin 1944, shumë njerëz u persekutuan dhe u etiketuan si armiq të populit, kundërrevolucionarë e si të tillë u ekzekutuan dhe u dërguan në kampe pune. Këto fotografi u fshehën si dëshmi e rrezikshme dhe shpesh u zhdukën. Të gjitha stampat origjinale të Marubit përbëjnë vlera të papërsëritshme dhe na ndihmojnë të përballemi me amnezinë që mungesa e tyre ka prodhuar, sidomos gjatë periudhës së komunizmit.
“E kaluara as nuk vdes, as nuk kalon”
William Faulkner, Requiem for a Nun.
Kreditë e ekspozitës
- Kuruar nga
Rudolf Schäfer
- Falenderime
Familja Kapidani
Familja Gjon Kamsi
Andrea Jakova
Eduard Gjinaj
Jozef Çoba
Kozma Dashi
Leopold Shkreli
Vaster Dhima