Marubi: Jeta përmes imazheve
–Muzeu “Marubi” është njëri ndër thesarët më të çmuar të trashëgimisë kulturore shqiptare. Fillesat e tij janë në vitin 1856 nga Foto-Studio Marubbi e lindur njëkohësisht me atelierë të tjerë fotografikë nga e gjithë bota. Qe italiani Pietro Marubbi ai që pati përndritjen për të sjellur fotografinë në Shkodër, në qytetin ku ai vendosi të ndalonte arratinë e tij. Ky qytet, i vendosur në zgrip të territorit të Perandorisë Osmane, mbruhej nga dëshira e njerëzve për komunikim, për hapje e kjo padyshim edhe nga pozita e tij gjeografike, me lumenjtë, liqenin, detin dhe malet dhe…fqinjtë. Gjithçka ndodhej pranë kufinjve të tij. Një qytet ku marrëdhënia njerëzore buronte nga fusha të ndryshme si artizanati, tregtia, lundrimi, bujqësia e po ashtu edhe nga të ardhurit.
Fotot e para i realizoi në teknikën e kolodiumit të lëngshëm dhe pas vitit 1880 filloi të përdorte teknikën e xhelatinës së thatë në xham. Shkodra u bë për të habitati që shndërroi sytë e një të ardhuri në ata të një vendasi, edhe nga pikëpamja e trashëgimisë. Duke mos patur fëmijë, ai u bë babai në fotografi i dy djemve shqiptarë, Matisë dhe Kelit. Ata vijuan me përkushtim aventurën në fushën e fotografisë. Me vdekjen e parakohshme të Matisë, zanati i fotografisë iu trashëgua vëllait më të vogël, Kelit. Me ndarjen nga jeta të Pietro Marubbi-t, studioja u trashëgua nga Kel Kodheli. Ai ishte i biri i Rrok Kodhelit, por njerëzit e thërrisnin ‘Keli i Marubit’ ndaj vendosi të mbante bri mbiemrit të familjes, atë të mjeshtrit. Me trashëgimin e studios dhe mbiemrit, në vitin 1907 Kel e shndërroi emrin e Foto-studios në Dritëshkroja “Marubi”. Ai kishte një personalitet të shkëlqyer dhe të shoqërueshëm që e bëri mik të ngushtë të drejtuesve, intelektualëve, shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë. Shumë syresh u bënë subjekt i aparatit fotografik të tij dhe ai diti t’i karakterizonte ato. Tipike për veprën e tij fotografike janë kompozimet narrative-simbolike të vëna në skenë në atelier. Me vdekjen e Kelit, tradita e studios u vijua nga i biri Gegë Marubi (Kodheli), i cili kishte studiuar fotografi në shkollën e parë të filmit dhe fotografisë së Vëllezërve Lumière në Francë. Imazhet e tij paraqesin një lojë dritash më kontrastuese, me një kundradritë, disi më filmike. Gega solli për herë të parë në Shqipëri teknikën e fotografisë me rreze infra të kuqe.
Ata njihen si ‘Marubët e zotnive’, por në fakt ne e dimë se nuk fotografuan vetëm këta subjekte. Në arkiv, së bashku me fotografitë e njerëzve të famshëm, dallojmë shtresa të ndryshme shoqërore (të varfër, lypsarë) që na përshfaqin një vizion tjetër të Marubëve. Atelierin e drejtuan deri në vitet 1950 atëherë kur për aktivitetet private të Shqipërisë komuniste, filluan ditë të vështira. Çdo gjë duhet t’i përkiste shtetit. Në vitin 1952 atelieri fotografik i Marubëve u mbyll dhe Gega së bashku me kolegët e tij iu bashkuan Repartit të Fotografisë në Kooperativën Shtetërore të Artizanatit.
Si rezultat i gjithë atyre viteve punë, studioja kishte krijuar tashmë arkivën e vet. “Dritëshkroja Marubi” u bë një përmbledhës dhe ruajtës i imazheve, një vend ku harresa u bë e pamundur. Rrjedha e jetës kishte lënë gjurmët e saj në këto fotografi. Kishte një thelb të vërtetë në to, që kishin ruajtur brenda vetes të ngrirë edhe drithmën e jetës. E përthyer në lentet përfshirëse e përjashtuese të tre fotografëve, përshtat formimit e botëkuptimit të tyre, imazhet na tregojnë rreth njerëzve, kohëve dhe regjimeve të ndryshme të epokës në të cilin ata jetonin. Në vitin 1970, Gegë Marubi ia dhuroi shtetit, arkivin e familjes. Zgjedhja e tij u diktua nga rrethanat. Duke mos mundur të ishte më pronari privat i arkivit të Marubëve, së paku bëhet përgjegjës shtetëror i tij. Gjer në fund të jetës ai u mor me plotësimin e arkivimin e fondit të Fototekës që mbante emrin e familjes së tij. Nismës së tij iu bashkuan edhe fotografët e tjerë të Shkodrës.
Kështu vijoi jeta e tyre, duke punuar në studio e jashta saj, duke fotografuar lindje, pagëzime, synete, dasma e funerale, ngjarje e aktivitete, duke na sjellë aspekte të ndryshme historike, shoqërore, kulturore e antropologjike në një fotografi dokumentaristike e artistike. Nga materialet e arkivit, ne kuptojmë se përgjatë kohëve ka patur praktika e ekspozime të ndryshme. Secili prej tyre vërtetëson idenë se nuk mund të ekzistojë një përcaktim gjithpërfshirës i fotografisë.
Ekspozita, e cila paraqet një copëz të vogël të kësaj trashëgimie të çmueshme, na tregon rrugëtime të historisë, përmes të cilave ka kaluar puna e tyre si fotografë. Në larmishmërinë e tematikave, “MARUBI: jeta përmes imazheve” ndjek shikimin e fotografëve, rrjedhën e tyre të jetës e cila përmes aktit të fotografimit, përjetëson ngjarje të rëndësishme apo të përditshmërisë. Njerëzit, vendet dhe ngjarjet nuk janë përzgjedhur doesmosdoshmërisht për rëndësinë e tyre historike, por nga zbulimi i fotografit sa i takon kompozimit, kuptimit të gjesteve apo edhe dritës (e cila na përshfaq një botë të pasur psikologjike që i përket sa syrit të fotografit, po aq edhe vetë subjektit). Këta imazhe na kujtojnë se është me e rëndësishmë ajo çka fotografi na përshfaq se sa ajo çka ne kërkojmë prej saj. Ajo që tregohet në këtë ekspozitë, nuk është aq progresi historik dhe teknologjik i fotografisë në Shqipëri se sa rrugëtimi ku kurioziteti, pasioni, mjeshtëria e tre fotografëve takon botën e pasur njerëzore me një shumëllojshmëri ngjarjesh, ritualesh, peizazhesh që kanë mbetur të fiksur në sytë tanë duke na dhënë provën e rrjedhës së jetës e cila ka kaluar këtu e ka lënë gjurmët e saj.