Manipulim

uploads-04_Muzeu_Marubi_Manipulation_Fotografia_Lek_Gjeloshi_540e007132.jpg

Arti i manipulimit lindi njëherazi me artin e fotografisë. Shpikja e fotografisë nga Nicéphore Niépce më 1825 hapi “garën” për perfeksionimin e saj të mëtejshëm duke bërë kështu të nevojshme edhe praktikat e para të manipulimit.

Që herët fotografitë do të manipuloheshin duke përdorur metoda e teknika të ndryshme. Ndërhyrja direkt në shtyp, retushimi me bojë, gërvishtja e imazhit, ndriçimi artificial në dhomën e errët apo ndërhyrja në negativ, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mënyrën se si ne e kemi interpretuar apo gjykuar një fotografi, duke bërë më të rëndësishëm faktin e kryerjes së proçesit të manipulimit.

Historikisht fotografitë janë manipuluar për të mashtruar, për t’ja mbushur mendjen shikuesve, për të sajuar të vërtetën e historisë apo krijuar “idhuj” të rremë. Pikëpamja artistike, satira, humori, fotografitë e “fantazmave”, fotografitë “magjepsëse”, propaganda politike dhe shtimi i portreteve të anëtarëve të familjeve apo grupeve ishin të gjitha praktika të filluara në fund të viteve 1800.

Këto praktika i dhanë hov zhvillimit të një arti që i mundësoi njerëzve të bëheshin më të afërt me të dashurit apo miqtë e tyre, të cilët nuk jetonin më ose kishin munguar gjatë momentit të fotografimit. Manipuluesit e imazhit kombinonin dy fotografi, atë të një klienti me fotografinë e një të afërmi të vdekur. Sot tingëllon shumë e lehtë, por në ato kohë manipulimi i fotografive ishte i ndërlikuar edhe për ndërhyrje krejt të thjeshta si kombinimi i dy fotografi të ndryshme në një imazh të vetëm, të cilin ne sot e quajmë kolazh.

Në vitin 2013 disa negativë të panjohur më parë u zbuluan nga koleksioni i Marubëve. Fotografitë na dëshmojnë një histori të hershme të manipulimit të imazheve që në fillim të viteve 1860 në Shqipëri. Fotografia e Pietro Marubbi-t e vitit 1860, “Dr. Gennaro Simini”, e cila na tregon Doktor Siminin tek pozon njëherë si klient, njëherë si pacient e më pas si doktor, na bën të mendojmë që ky imazh mund të ketë shërbyer edhe si reklamë e kohës. Fotografia e portretit të Pietros në një trup më të vogël se koka dhe e vendosur në një filxhan si dhe portretet e Kel Marubit me të motrën, manipuluar mbi trupat e dy luftëtarëve ekzotik afrikanë, janë shembuj të tjerë të gjurmëve të para të zhvillimit të këtyre teknikave. Eksperimentimit me manipulimin e fotografive nuk i qëndruan pas as gjeneratat e tjera të Marubëve, Keli e Gega. Imazhet e martesës së Mbretit Zog I me Mbretëreshën Geraldinë që u realizuan më 1938 nga Keli iu nënshtruan gjithashtu proçesit të retushit me qëllim publikimin e tyre në revistat e kohës. Njëlloj si Henri de Toulouse-Lautrec tek fotografia (1892) ku pozon si artist e si model, edhe Gega na shfaqet duke pozuar brenda një fotografie në pozicione të ndryshme, në rolin e një bashkëbiseduesi me vetveten. Dy fotografitë e vitit 1927 dhe 1940 të Kelit e Gegës që paraqesin At’ Anton Kirin tek fle mbështetur herë mbi karrige e herë mbi trungje drurësh, me “fantazmën” që i rri pranë duke luajtur violinë, na tregojnë një tjetër anë të panjohur deri më tani të mjeshtërisë teknike të Marubëve.

Historia e manipulimit të fotografisë gjithashtu na njeh me disa shembuj të rëndësishëm të fotografisë së propagandës politike. Retushimin e fotografive me qëllim eliminimin e “armiqve të popullit” e gjejmë edhe në Shqipëri gjatë periudhës së diktaturës komuniste (1944 – 1991). Me fillimin e shtetizimeve u krijuan Repartet Fotografike (1952) të cilat fillimisht ishin pjesë e Kooperativave e më pas të Ndërmarrjeve të Riparim-Shërbimeve. Fotografët që deri asokohe kishin punuar në studiot e tyre private, qenë të detyruar t’i dorëzonin koleksionet fotografike dhe të punonin për shtetin. Pjesë e këtyre Reparteve u bënë vetë fotografët, teknikët e laboratorit, por edhe anëtarët e Sigurimit të Shtetit të cilët kishin për qëllim survejimin e proçesit. Kjo “makineri” propagande bëri që as fotografitë e Marubëve të mos i shpëtonin dot teknikës së retushimit me qëllim censurën ose propagandën politike që ishte përhapur masivisht. Albumi me fotografi “Gjurmë të historisë kombëtare në Fototekën e Shkodrës” (1982), hapet me njërën prej fotografive më spektakolare të manipulimit gjatë regjimit komunist. Personalitetet që kishin dalë në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës për të mbajtur fjalimet përshëndetëse me rastin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të patriotëve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli më 1936, ishin fshirë të gjithë duke na shfaqur vetëm diktatorin shqiptar Enver Hoxha tek mbante një fjalim. Pjesë e këtij botimi janë edhe një sërë fotografish të tjera ku spikasin si më të famshmet fotografitë e Kel Marubit të deputetëve të Shkodrës Gurakuqi, Fishta e Mjeda e vitit 1923. Këtu nga fotografia është fshirë poeti kombëtar At Gjergj Fishta.

Kjo ekspozitë tenton të nxjerrë në pah për herë të parë, fotografitë e manipuluara si para ashtu edhe gjatë regjimit komunist, e për t’i ballafaquar ato me të vërtetën që dëshmojnë negativët origjinalë të paprekur.

Në shumë libra të historisë apo leximit gjatë fëmijërisë na ka rastisur të vëmë re disa kuadrate të zeza në vend të fotos së autorit apo në raste të tjera fotografia e tij ishte e manipuluar. Kjo shpesh ndodhte për arsye se fotografitë ishin të pa dixhitalizuara duke sjellë kështu në një mungesë informacioni në lidhje me imazhin, që gjë që reflektohet në historinë e tij ashtu siç ne e njohim sot.

Duke qënë se sot e kësaj dite ka akoma dyshime në lidhje me imazhe të caktuara të historisë së Shqipërisë, vetëm përmes punës kërkimore mund të hidhet dritë mbi spekullimet e bëra mbi to e t’i jepet kështu një mundësi të vërtetës që ata dëshmojnë.