Kub France Shkodra

Kub France Shkodra është një hapësirë kulturore dhe digjitale e krijuar në kuadër të projektit strategjik KitKubiK, një iniciativë e drejtuar nga KubFranceTirana, operator i Ambasadës së Francës në Shqipëri, në partneritet me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

E konceptuar si një platformë për edukimin, eksplorimin dhe ndërveprimin me artin dhe trashëgiminë kulturore përmes teknologjive digjitale, Kub France Shkodër sjell në mjediset e Muzeut Marubi dy përvoja kryesore: Micro-Folie, një muze digjital që ofron akses në mbi 3,200 vepra arti nga 205 institucione kulturore ndërkombëtare, ndër të cilat Musée du Louvre, Musée d’Orsay, Centre Pompidou dhe Château de Versailles, si dhe përvoja të Realitetit Virtual (VR) mbi artin dhe kulturën franceze, të zhvilluara në bashkëpunim me Institutin Francez në Paris.

Përtej prezantimit të përmbajtjeve kulturore digjitale, Kub France Shkodër synon të funksionojë si një hapësirë aktive edukimi dhe ndërveprimi për fëmijët, të rinjtë, studentët, komunitetin frankofon dhe publikun e gjerë. Përmes programeve edukative, workshopeve dhe aktiviteteve të lidhura me teknologjinë dhe krijimtarinë digjitale, hapësira nxit njohjen me artin dhe trashëgiminë kulturore, zhvillimin e aftësive të reja dhe dialogun ndërkulturor.

E vendosur brenda Muzeut Marubi, Kub France Shkodër krijon një pikë takimi ndërmjet trashëgimisë kulturore, artit, teknologjisë dhe edukimit, duke zgjeruar mundësitë e publikut për të përjetuar dhe interpretuar kulturën përmes mjeteve dhe formateve bashkëkohore.